Në Këshillin Europian të mbajtur në Bruksel, liderët konfirmuan mbështetjen për planin e Komisionit për të mobilizuar deri në 800 miliardë euro për mbrojtjen, por ekzistojnë dallime mbi disa pika kyçe.
Për Emmanuel Macronin, Këshilli Europian ishte një sukses. “Tashmë kemi një strategji për të riarmatosur plotësisht Europën, për t’u ri-pajisur dhe për të rimarrë plotësisht pavarësinë tonë në pesë vitet e ardhshme”, shkroi presidenti francez në një mesazh të publikuar në X (ish-Twitter), në përfundim të takimit në Bruksel.
Dje, Këshilli Europian zgjati deri natën vonë, duke u mundësuar liderëve të 27 vendeve anëtare të përmbyllnin diskutimet mbi temat e ndryshme brenda një dite, dhe jo më domosdoshmërisht në dy, duke konfirmuar stilin e ri të presidentit Antonio Costa, i cili synon të shkurtojë kohëzgjatjen e këtyre takimeve dhe t’i bëjë më operative.
Plani për riarmatimin
Krerët e shteteve dhe qeverive diskutuan mbi planin ReArm Europe, ose më saktë Readiness 2030, siç është quajtur tashmë, të paraqitur nga Komisioni Europian, i cili synon të mobilizojë deri në 800 miliardë euro për blerjen e armëve dhe u bën thirrje vendeve anëtare të ndajnë burimet për projekte të përbashkëta ushtarake dhe të blejnë më shumë armë prodhuar në Europë.
Ndryshimi i emrit është një lëshim ndaj vendeve si Italia e Giorgia Melonit, e cila prej kohësh kërkonte rishikimin e emrit, të cilin e konsideronte shumë luftarak. Në këtë betejë, kryeministrja italiane gjeti një aleat të pazakontë te kryeministri spanjoll Pedro Sánchez.
“Nuk më pëlqen termi ‘riarmatim’. Mendoj se BE-ja është një projekt politik i ‘soft power’. Sot kemi gjithashtu detyrën e një ‘hard power’. Por është thelbësore të nxjerrim në pah pikat tona të forta në fushën e ‘soft power’. Kjo është kundërshtia ime parimore ndaj termit ‘riarmatim’”, kishte deklaruar socialisti në skajet e takimit. Por, përtej emrave, diskutimet mbi përmbajtjen vazhdojnë.
“Besoj se Europa nuk ka lëvizur kurrë kaq shpejt sa në javët e fundit”, theksoi Macron, sipas të cilit “Europa ishte një komunitet i ndërtuar për të shmangur luftën, më pas një treg i vetëm. Nuk kishte ndërtuar kurrë instrumente për t’u bërë një fuqi e vërtetë. Tani po e bën. Po e bëjmë në kohë reale dhe me shpejtësi”.
Qëndrime të ndryshme
Disa liderë, si kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, e nxitën Brukselin të shkojë më tej në financimin e shpenzimeve për mbrojtjen dhe të marrë në konsideratë mundësinë e dhënies së subvencioneve për shtetet anëtare, jo vetëm kredive. Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu preferencën për “instrumente vërtet të përbashkëta europiane që nuk rëndojnë drejtpërdrejt mbi borxhin e shteteve”. Të tjerë, si kryeministri holandez Dick Schoof, u shprehën kundër obligacioneve të përbashkëta, të ashtuquajturat eurobono.
Dhe kjo është linja që duket se ka dominuar në takim, pasi në deklaratat zyrtare është zhdukur çdo referencë për “eksplorimin e masave të mëtejshme” për financimin e mbrojtjes, që ishte përfshirë në përfundimet e Këshillit Europian të 6 marsit.
Koalicioni i të gatshmëve
Macron gjithashtu njoftoi një samit të ri të koalicionit të të gatshmëve për Ukrainën, i parashikuar për të enjten e ardhshme në Paris, në të cilin “do të finalizojmë punën tonë për të mbështetur ushtrinë ukrainase dhe për të ndërtuar një model ushtrie të qëndrueshme për të parandaluar pushtimet ruse”, shpjegoi ai.
Takimi, në të cilin pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, vjen pas “takimit të shefave të shtabeve të përgjithshme të ushtrive javën e kaluar në Paris dhe atij të zëvendës-shefave të operacioneve” të mbajtur dje (të enjten, 20 mars) në Londër. Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë punuar për të ndërtuar këtë koalicion të vendeve që mbështesin Ukrainën, që nga muaji i kaluar, kur presidenti amerikan Donald Trump nisi bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë e Vladimir Putinit në përpjekje për të dhënë fund luftës trevjeçare.
“Kemi punuar shumë me britanikët për të përcaktuar kushtet për një armëpushim, ndaj mendoj se ky do të jetë rasti për të diskutuar dhe sqaruar këtë”, deklaroi presidenti francez. “Objektivi i ardhshëm është të specifikojmë nivelet e ndryshme të mbështetjes për Ukrainën pas paqes, mbështetjen për ushtrinë ukrainase dhe vendosjen e mundshme të saj”, shtoi ai. / bota.al