Jamal Musiala është një nga dy lojtarët më të mirë të Gjermanisë. Ai sapo ka rinovuar kontratën me Bayern dhe ka qenë ndër emrat më të përmendur në media.
Në “garë” me të si më i miri në Gjermani është Florian Wirtz, por pa rivalitet të dëmshëm, sepse të dy shkëlqejnë bashkë kur luajnë me kombëtaren dhe ndoshta së shpejti do të jenë shokë skuadre te Bayern.
Trajneri i “Pancerave”, Julian Nagelsmann, ka bërë një deklaratë interesante pas ndeshjes me Italinë në Milano, e vlefshme për Nations League.
“Jamal duhet të ndihet sa më i lirshëm. Ai duhet të luajë futbollin e rrugës, të bëjë atë që dëshiron, pa u limituar taktikisht”, u shpreh tekniku, i cili më parë ka punuar te Bayern dhe Hoffenheim.
Nëse Carlo Ancelotti e ka dëgjuar këtë deklaratë, do t’i jetë dukur sikur Nagelsmann është shkolla “Carletto”. Italiani gjithmonë e thekson dëshirën e tij për t’i lënë yjet e sulmit sa më të lirë.
“Nëse u jep shumë detyra, i kufizon. Lojtarët nuk mbajnë mend shumë gjëra. Unë i lë të lirë, sidomos kur skuadra ka topin”. Epo, mesa duket, kështu mendon edhe Nagelsmann për yjet e tij.