Në këtë ndeshje, Anglia u rreshtua me skemën 4-2-3-1. Harry Kane ishte vendosur në krye të sulmit, ndërsa Marcus Rashford, Jude Bellingham dhe Phil Foden mbështesnin repartin ofensiv nga mesfusha. Curtis Jones dhe Declan Rice formuan dyshen e mesit të fushës, ndërsa mbrojtja përbëhej nga Lewis Skelly, Dan Burn, Ezri Konsa dhe Kyle Walker. Jordan Pickford mbrojti portën.
Që në fillim të takimit, Anglia mori kontrollin e lojës. Në minutën e 20-të të pjesës së parë, Lewis Skelly përfundoi me qetësi një aksion të bukur, duke realizuar golin e parë, pas një pasimi të shkëlqyer në thellësi nga Bellingham.
Më pas, Anglia krijoi disa raste të rrezikshme gjatë pjesës së parë, duke fituar avantazh psikologjik. Nga ana tjetër, Shqipëria u përpoq të kundërsulmonte, por nuk arriti të krijonte mundësi të qarta shënimi.
Dominimi i Anglisë vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 78-të, Kane finalizoi një krosim nga Rice, duke dyfishuar rezultatin. Shqipëria bëri disa zëvendësime në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e lojës, por nuk arriti të rikuperonte. Në minutat e fundit të takimit, portieri shqiptar Thomas Strakosha u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi.
Thomas Tuchel arriti fitoren e tij të parë si trajner i Anglisë, të premten në mbrëmje, pasi të tijtë e nisën fushatën e re kualifikuese për Kupën e Botës 2026 me fitore 2-0 ndaj Shqipërisë. Pas ndeshjes, trajneri gjerman nënvizoi mes të tjerash:
“Mund të bëjmë më mirë dhe duhet të bëjmë më mirë. E nisëm mjaft mirë, me shumë pasime dhe energji të lartë, por kundërshtari ishte i vështirë për t’u çarë, pasi u mbrojt thellë. Në të gjitha ndeshjet që pamë në Europian, shqiptarët arritën të mos lejonin shumë raste apo të pësonin gola.
Në pjesën e dytë më duket se ishim shumë të ngadaltë, nuk patëm lëvizje të mjaftueshme pa top për të depërtuar më shpesh pas vijës mbrojtëse të kundërshtarit. Lewis-Skelly debutoi me gol? Lojtar i mahnitshëm, personalitet i jashtëzakonshëm, mos harroni se është vetëm 18 vjeç. Ai erdhi në grumbullim dhe menjëherë tregoi pse është e lehtë të dashurohesh me lojën e tij. Është një lojtar i shkëlqyer, karakter fantastik dhe e meritoi plotësisht.
Jude është një lojtar kyç, dhuroi një pasim të mrekullueshëm për golin e parë. Presim shumë prej tij, është gati të marrë përgjegjësi. Ne duhet të krijojmë një mjedis dhe strukturë ku të mund ta shohim edhe më shumë talentin e tij.
Kërkoj përmirësim në krahët e sulmit, veçanërisht në ndeshjet ku kundërshtari mbrohet fort. Shpresoj për më shumë ndikim nga këto pozicione. Dua të shoh më shumë driblime, më pak pasime dhe më shumë depërtime agresive drejt zonës. Kjo na mungoi sot, të gjitha rastet erdhën nga lëvizje diagonale pas vijës mbrojtëse.
Jude pati disa vrapime të mira në pjesën e parë, Myles shënoi nga një prej tyre, edhe Kyle Walker pati një rast të madh për të realizuar golin e dytë. Kjo ishte ajo që na mungoi, vendosmëria për të qenë më efikasë”.