Alvarez ka një kërkesë për UEFA-n pas penalltisë që iu anulua ndaj Real Madridit

- Bota Sot

Alvarez ka një kërkesë për UEFA-n pas penalltisë që iu anulua ndaj Real Madridit

Javën e kaluar, Real Madridi u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Atletico Madridin, por kjo ndeshje nuk kaloi pa polemika. 

U desh ekzekutimi i penalltive për dy skuadrat që të vendoset fati i ekipit që kualifikon tutje dhe aty, ‘Los Blancos’ ishin më të saktë duke triumfuar me rezultat 4-2. 

Megjithatë, rezultati ka mundur të jetë më ndryshe në rast se VAR-i nuk do të intervenonte tek një rast. 

Sulmuesi argjentinas Julian Alvarez bëri prekje të dyfishtë të topit gjatë ekzekutimit të penalltisë. 

Fillimisht goli i tij u pranua si i rregullt, por pas rishikimit nga VAR, u gjykua se ai kishte prekur topin me të dyja këmbët dhe për shkak të kësaj goli në fund u anulua. 

Për këtë rast për herë të parë tani ka folur Alvarez i cili në një intervistë për ESPN shpjegoi çfarë ndodhi atë natë. 

Ylli i Atletico Madridit e pranoi se ai nuk e ndjeu se e kishte prekur topin me këmbën e tij të majtë dhe shprehu dëshirën e tij që ky rregull të ndryshohet nga UEFA/FIFA. 

“E kam parë mijëra herë, videot janë çdokund. E vërteta është se nuk e kam ndjerë prekjen, sepse nëse ishin dy prekje, kontakti është minimal dhe është e vështirë ta shohësh”. 

“Mendoj se rregulli duhet të jetë paksa më i qartë sepse unë nuk po mundohem të kem një avantazh dhe nëse portieri është jashtë vijës së tij kur ai bën një pritje, atëherë penalltia përsëritet”, ka thënë Alvarez.



Lexoni të gjitha në Bota Sot