Përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe liderët shpirtërorë në Kosovë, pjesëmarrës në Tryezën e Dialogut Ndërfetar, të iniciuar nga Fondacioni “Drita”, më 21 mars në Prishtinë, kanë nënshkruar një rezolutë përmes së cilës angazhohen të punojnë bashkërisht për forcimin e harmonisë ndërfetare, ruajtjen e unitetit kombëtar dhe refuzimin e ekstremizmit dhe dhunës në emër të fesë.
Rezoluta është nënshkruar nga liderët e komuniteteve fetare kryemyftiu Naim Tërnava nga Bashkësia Islame e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, pastor Artur Krasniqi Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Hysen Hyseni- Bashkësia Hebraike e Kosovës.
Teksti i plotë:
Populli ynë shqiptar, ndër shekuj ka dëshmuar aftësinë e tij për të jetuar në paqe, në harmoni dhe me dashuri vëllazërore. Për ne, bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare nuk janë vetëm një vlerë e trashëguar nga të parët tanë, por edhe një shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar, paqes mes nesh dhe të ardhmes tonë të përbashkët.
Historia jonë dëshmon se, për të ruajtur këtë pasuri të paçmueshme janë bërë shumë sakrifica nga të gjithë. Se ndër ne nuk ka munguar kurrë mbështetja vëllazërore, ku të krishterët dhe myslimanët, kanë ndarë së bashku gëzimet e jetës, kanë përballuar sfidat historike dhe asnjëherë nuk kanë lejuar të ketë përgjuarës mes nesh. Por, vazhdimisht është kultivuar ndjenja e thellë e përgjegjësisë për njëri-tjetrin, njësimi gjuhësor, trashëgimia kulturore, dhe bashkëpërgjegjësia për të ardhmen e përbashkët. Ky është amaneti i të parëve tanë, ky është synimi ynë sot, dhe kështu duhet të mbetet edhe për brezat që do të vijnë.
Duke qenë të vetëdijshëm se sot gëzojmë paqen dhe lirinë – vlera të cilat të parët tanë nuk i patën asnjëherë – e të vetëdijshëm që duhet t’i ruajmë këto vlera si një pasuri të paçmuar ndër-vëllazërore dhe me dëshirën që t’i bëjmë ato më të qëndrueshme dhe më të vlefshme në dimensionin e paqes dhe të lirisë,
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe liderët shpirtërorë në Kosovë, pjesëmarrës në Tryezën e Dialogut Ndërfetar, të iniciuar nga Fondacioni “Drita” zotohemi si më poshtë:
1. Harmonia ndër-fetare nën dimensionin e paqes dhe lirisë
Ne riafirmojmë se paqja dhe liria, që sot gëzojmë janë vlera të çmuara për çdo shoqëri dhe dhuratë e paçmueshme për çdo individ, të cilat nuk duhet cenuar askujt, e as të jenë të cenueshme nga askush. Paqja e arritur është fryt i shumë sakrificave dhe vuajtjeve, prandaj do ta ruajmë dhe ta mbrojmë me përkushtim, duke e jetuar me mirëkuptim, besim dhe dialog të hapur e të sinqertë. Duke mbrojtur të drejtën e çdo individi dhe bashkësie fetare, për të ushtruar besimin e tyre pa frikë e kufizime nga askush. Ndërsa i ftojmë të gjitha institucionet tona që të ruajnë, kultivojnë dhe forcojnë këto vlera si frymë që na mbanë të bashkuar dhe na ndihmon të bashkë-shpresojmë për një të ardhme të sigurt.
2. Ruajtja e unitetit në diversitetin
Respekti për diversitetin fetar si dhe uniteti ynë etnik, gjuhësor dhe kulturor, janë vlera të përbashkëta që nuk duhet të cenohen nga askush. Feja nuk duhet të shfrytëzohet për të krijuar ndasi, por për të bashkuar bijtë dhe bijat e Krijuesit tonë të përbashkët, në mirësi, dashuri dhe përgjegjësi për njëri-tjetrin. Prandaj, ne angazhohemi të punojmë së bashku për forcimin e harmonisë ndërfetare, promovimin e vlerave të dialogut, të mirëkuptimit dhe paqes. Po edhe do të ruajmë unitetin tonë kombëtar në diversitetin fetar që e kemi.
3. Refuzimi i ekstremizmit dhe dhunës në emër të fesë
Ne dënojmë fuqimisht çdo formë të ekstremizmit ndër ne, sikur është: dhuna, fyerjet verbale, përhapja e urrejtjes në mediat social, instrumentalizimi i fesë për qëllime politike, përdorimi i fesë për interesa të grupeve të veçanta, apo individëve të caktuar që duan të vetëpromovohen në shoqërinë tonë duke keqinterpretuar fenë apo faktet historike. Pra, elementi përçarës ndër ne duhet të kundërshtohet kudo dhe nga kushdo që mund të vijë. Sepse Feja është dhe duhet të mbetet burim paqeje, pajtimi e vëllazërimi dhe harmonie mes njerëzve.
4. Dialogu - mënyra më e mirë e bashkëpunimit
Ne besojmë se një shoqëri e fortë dhe e drejtë ndërtohet mbi dialogun dhe bashkëpunimin e të gjithë faktorëve të saj pavarësisht dallimeve. Prandaj, angazhohemi dhe duam të jemi shembull të një dialogu të hapur, të sinqertë dhe me respekt të ndërsjellë. Pasi, jemi të bindur që vetëm kështu mund të ndërtohen ura të qëndrueshme mirëkuptimi mes nesh, mund të kemi një shoqëri që respekton të gjithë dhe nuk e diskriminon askënd.
5. Thirrje brezave të ardhshëm
Një thirrje të sinqertë iu drejtojmë të gjithë të rinjve në vendin tonë, me ftesën që të mbrojnë dhe të kultivojnë paqen, lirinë dhe harmoninë ndërfetare. Pasi, paqja ju mundëson ta gëzoni jetën, liria ju jep të drejtën të jeni vetja juaj, kurse harmonia ndërfetare dhe dashuria ndërvëllazërore mes jush, përmbushë shpresat tuaja dhe të gjithë neve. Ju, të rinjtë, jeni bartësit të së ardhmes, ne jemi dëshmitarë të së kaluarës, ndërsa së bashku bashkëpërgjegjës për të ardhmen. Ne, vazhdimisht do të angazhohemi, t’ju dëshmojmë se vetëm përmes respektit, dashurisë dhe mirëkuptimit reciprok mund të ruajmë unitetin tonë kombëtar dhe të sigurojmë një të ardhme më të ndritur për të gjithë.
6. Angazhimi për të ardhmen e përbashkët
Në këtë frymë, ne i ftojmë të gjithë – besimtarët, jobesimtarët, pakicat etnike dhe institucionet shtetërore – të bashkohen dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin duke ruajtur këto vlera. Po, edhe ne nuk do të pushojmë kurrë duke ofruar kontributin tonë për paqe, bashkëjetesë në harmoni dhe respekt ndaj të gjithëve, që janë ndryshe, mendojnë ndryshe ose konsumojnë të drejtën e tyre. Pasi jemi të përkushtuar të jemi pjesë dhe kontribuues, për të pas një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe paqësore. Përveç kësaj, riafirmojmë përkushtimin tonë për të respektuar Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi, rendin shoqëror, duke kontribuar në ruajtjen e bashkëjetesë ndërfetare dhe dashurinë ndërvëllazërore si një vlerë të patjetërsueshme për të gjithë ne.
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, angazhohemi që së paku një herë në vit të takohemi në këtë Tryezë të Dialogut Ndërfetar, për të frymëzuar besimtarët tanë të vazhdojnë të jetojnë në harmoni, për të bashkëndarë përvoja dhe për t’iu dhënë përgjigjen e duhur sfidave me të cilat mund të përballemi.