Ukraina peshon praninë amerikane në centralet bërthamore

- Bota Sot

Ukraina peshon praninë amerikane në centralet bërthamore

Shtetet e Bashkuara mund të kenë prani në Ukrainë – edhe pse jo në një mënyrë që shumë e presin.

Gjatë telefonatës të zhvilluar së fundi midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku Ukraina u pajtua të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë të Rusisë për 30 ditë, doli ideja e vendosjes së pranisë amerikane në centralet bërthamore ukrainase.

Zelensky tha se gjatë bisedës me Trumpin, ai diskutoi për mundësinë e ndihmës amerikane në rimëkëmbjen e Zaporizhjas, centralit më të madh bërthamor në Evropë, i cili është nën pushtimin rus që nga marsi i vitit 2022.

“I thash që vetëm çlirimi i Zaporizhjas nuk mjafton sepse atje duhet të ketë infrastrukturë: furnizim me ujë, personel teknik dhe shumë hapa të tjerë në mënyrë që në të ardhmen stacioni të nisë të sjellë para dhe rrymë për njerëzit”, tha Zelensky sa i përket bisedës telefonike.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë për telefonatën e 19 marsit, Trump i tha Zelenskyt se pronësia amerikane mbi furnizimin me energji elektrike të Ukrainës dhe centraleve bërthamore “do të ishte mbrojtja më e mirë e kësaj infrastrukture”.

Staf bërthamor amerikan në Ukrainë

Ekspertët me të cilët ka biseduar Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë e kanë mirëpritur propozimin, duke thënë se do të jetë një garanci e fortë e sigurisë dhe një hap në drejtimin e duhur për kalimin e energjisë bërthamore të Ukrainës nga Rusia në Perëndim.

“Besoj se nëse zoti Trump ka bërë një propozim të tillë, Ukraina nuk duhet ta refuzojë, por duhet ta pranojë, me disa kushte”, tha Volodymyr Omelchenko, drejtori i programit për energji në Qendrën Razumkov, institut me seli në Kiev.

Këto kushte, sugjeroi ai, do të duhej të përfshinin garantimin e kontrollit të plotë nga Ukraina dhe sigurimin që Energoatom, kompania shtetërore e energjisë bërthamore, të mbetet operatori i vetëm.

“Askush nuk i di specifikat [e centralit bërthamor të Zaporizhjas] përveç specialistëve ukrainas, pasi çdo njësi bërthamore ka specifikat e veta”, tha Omelchenko.

Ukraina ka 15 reaktorë operacionalë në katër uzina bërthamore, një nga të cilat, uzina në Zaporizhja është nën pushtimin e Rusisë. Dy reaktorë zyrtarisht janë nën ndërtim, por nuk është raportuar për ndonjë punim aktiv në më shumë se 30 vjet, sipas raportit për Statusin e Industrisë Bërthamore në Botë për vitin 2024.

Nga 15 reaktorët bërthamorë, 12 janë reaktorë të epokës sovjetike të lidhura me rrjetin para se Ukraina të fitonte pavarësinë më 1991. Flota bërthamore e Ukrainës, e epokës sovjetike, ofron gjysmën e energjisë që konsumohet në shtet.

Centralet bërthamore nën sulm

Situata në Ukrainë është e paprecedent. Asnjëherë më parë nuk është zhvilluar një luftë aktive në një shtet që ka disa centrale bërthamore. Përveç pushtimit të Zaporizhjas, dronët rusë kanë fluturuar shumë afër centralit bërthamor të Hmelnitskit, në perëndim të Ukrainës. Raketat dhe dronët kanë kaluar pranë edhe centralit të Rivnes, po në perëndim të Ukrainës. Ndërkaq, në muajin shkurt një dron rus goditi strehën që mbulon rrënojat e reaktorit të shkatërruar të Çernobilit.

“Prania e bizneseve amerikane, interesave amerikane atje, do të jetë një lloj garancie sigurie”, tha analisti politik, Igor Reuterovich. Përderisa Rusia vazhdimisht ka shënjestruar infrastrukturën ukrainase, prania e personelit amerikan në terren do të mund të shihej si vijë e kuqe, të cilën Moska do të hezitonte që ta shkelte.

Në vitet e fundit, Ukraina ka tentuar që të zvogëlojë varësinë nga teknologjia bërthamore ruse. Një marrëveshje në mes të gjigantit bërthamor botëror, Westinghouse dhe Energoatom u nënshkrua në qershor të vitit 2022, duke garantuar që kompania do t’i ofronte të gjithë karburanti bërthamor për reaktorët e Ukrainës, duke prishur monopolin që dikur kishte Rusia. Po ashtu ka plane për ndërtimin e një reaktori të ri në Hmelnistski, duke përdorur teknologjinë amerikane.

“Është e qartë se këtu ka një garanci sigurie, por gjithashtu një interes për investime të rëndësishme, bashkëpunim me Westinghouse dhe kompani të tjera amerikane si dhe furnizim me pajisje... Ka shumë gjëra pozitive me përfshirjen amerikane”, tha Omelchenko.

Shqetësime lidhur me praninë amerikane në Ukrainë

Djalli, sigurisht, fshihet në detaje. Në një artikull të CNN-in më 20 mars, ekspertët perëndimorë hodhën dyshime mbi idenë që SHBA-ja të drejtojë centralet bërthamore ukrainase. Shqetësimi ishte në mirëmbajtjen e furnizimeve të qëndrueshme me energji dhe ujë të mjaftueshëm për ftohje, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj infrastrukturës. Dhe, në terma praktikë, ekspertët thanë se teknikët bërthamorë perëndimorë nuk kanë përvojë në operimin e reaktorëve të llojit VVER, të dizajnit sovjetik, që përdoren në Ukrainë.

Po ashtu, një mospërputhje sa i përket asaj se çfarë saktësisht është diskutuar mes Trumpit dhe Zelenskyt gjatë bisedës telefonike të 19 marsit. Sipas presidentit ukrainas, diskutimi i dy udhëheqësve është përqendruar ekskluzivisht në centralin e Zaporizhjas. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, megjithatë përmenden “centralet” – pra, në shumës – e jo vetëm Zaporizhja.

Përderisa Zelensky është i etur për ndihmën e SHBA-së, ai është i përkushtuar që të ruajë sovranitetin e Ukrainës, veçmas në sektorë që janë të lidhur ngushtë me sigurinë kombëtare. Gjatë bisedës telefonike me Trumpin, ai qartazi u shpreh se “të gjitha centralet bërthamore në Ukrainë janë në pronësi të popullit ukrainas”.

Një kompromis i mundshëm, që është sugjeruar nga ekspertët, do të ishte vendosja e amerikanëve në bordet mbikëqyrëse të centraleve bërthamore apo në bordin e Energoatomit, një lëvizje që do të siguronte ndikim dhe siguri pa transferuar pronësinë.

Për të tjerët, përfshirja e SHBA-së nuk do të mjaftonte për të përmirësuar situatën. “Ekziston vetëm një mënyrë që Ukrainës t’i kthehet Zaporizhja”, tha analisti politik, Vadym Denysenko, dhe kjo është “nëse trupat ruse largohen nga [qyteti që gjendet në afërsi] Energodar... dhe nga ky territor në përgjithësi. Nuk shoh tjetër mundësi”.

Çernobili, ku ndodhi katastrofa bërthamore e vitit 1986, tregon kufizimet e pranisë ndërkombëtare. Edhe me financim të konsiderueshëm ndërkombëtar dhe një profil të lartë global, centrali bërthamor joaktiv i Çernobilit sërish u bë cak gjatë konfliktit.

Kjo ndodhi në natën e 14 shkurtit, kur një dron rus i ngarkuar me mjete shpërthyese goditi strehën e madhe që ndalon përhapjen e rrezatimit nga reaktori i katërt, që është i shkatërruar.

“Nëse specialistët amerikanë... shkojnë në ndërtesat energjetike të Ukrainës dhe qëndrojnë atje, atëherë sigurisht që do të ketë më pak gjasa që [presidenti rus, Vladimir] Putin t’i sulmojë këto ndërtesa”, tha për Radion Evropa e Lirë, Serhiy Taran, politolog ukrainas.

“Ata duhet të punësojnë personel sigurie”, shtoi Taran, dhe “do të preferohej që ky personel sigurie të ishte i armatosur me sisteme të mbrojtjes ajrore”.REL



Lexoni të gjitha në Bota Sot