Greqia e konsideron situatën politike në Turqi, pas burgosjes së kryetarit të opozitës së Stambollit, Ekrem Imamoglu, si “të paqëndrueshme dhe shqetësuese”, tha sot zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis.
“Lëshimet për sundimin e ligjit dhe liritë civile nuk mund të tolerohen”, shtoi ai, duke specifikuar se Ankaraja duhet të japë “përgjigje bindëse (…) për çdo shkelje të pretenduar të këtyre parimeve”.
Zëdhënësi paralajmëroi gjithashtu se në këto kushte, do të ishte “e vështirë” të organizohej një takim i ardhshëm midis kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk, Tajip Recep Erdogan.
“Po bëhet e vështirë, siç e kuptoni, organizimi i menjëhershëm i Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit midis Greqisë dhe Turqisë në Ankara”, tha ai.
Nuk është bërë e ditur zyrtarisht data e saktë e këtij takimi, i cili është pjesë e përpjekjeve që prej dhjetorit 2023 për të bashkuar dy rivalët historikë rajonalë, por partnerë brenda NATO-s.
Megjithatë, e përditshmja greke ”Kathimerini” ka përmendur datën 8 prill për një takim mes dy liderëve.
Protestat kërcënojnë të përshkallëzohen në Turqi pas burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit, Imamoglu, me thirrje të rinovuara për protesta në të gjithë vendin, që është tronditur nga demonstrata të një shkalle të paparë që nga viti 2013.