Nuk është më sekret

- Bota Sot

Nuk është më sekret

Nuk është më sekret që Bayern po angazhohet totalisht për transferimin e yllit Florian Wirtz. Mesfushori ofensiv i Bayer Leverkusen gëzon interesin e shumicës së klubeve europiane.

Ai mund të luajë edhe si sulmues qendre, gjë që ia shton vlerën në treg, si një futbollist polivalent me shumë opsione aktivizimi në fushën e lojës.

“Sky” raporton se gjermani e ka gati kontratën e re në Leverkusen (deri në vitin 2028), por refuzon ta firmosë, sepse nuk e ka ndarë mendjen se ku do të luajë në sezonin e ri.

Bayern e kërkon me ngulm yllin e Bundesligës, por Leverkusen nuk e lëshon pa 130 mln euro plus bonuse në varësi të ecurisë së lojtarit në Mynih.

Me këtë shifër, Wirtz do të bëhej transferimi më i kushtueshëm në historinë e futbollit gjerman, kështu që Bayern po përgatit kushtet për konkretizimin e kësaj blerjeje.

Kingsley Coman dhe Serge Gnabry janë tashmë në listën e largimeve për merkaton e verës. Ata nuk kanë më vend në skuadrën e trajnerit Vincent Kompany.

Bayern pret të arkëtojë rreth 60 mln euro me shitjet e këtyre dy sulmuesve, të cilët nuk kanë më rendiment maksimal në “Allianz Arena”. Pjesa tjetër e shifrës do të sigurohet nga buxheti i klubit ose një hua bankare (për herë të parë në historinë e klubit).

Pse Bayern e kërkon dëshpërimisht Wirtz? Për tri arsye. Së pari, klubi bavarez mendon se Wirtz është lojtar që vjen një herë në dekadë. Duke qenë gjerman, ai bëhet edhe më interesant.

Së dyti, klubi është i vetëdijshëm se lojtarë të këtij niveli kushtojnë po aq sa Wirtz, pra mbi 100 mln euro. Bayern e ka më normale dhe të lehtë të blejë një gjerman brenda kampionatit sesa një brazilian, portugez apo spanjoll nga liga të tjera.

Së treti, lojtarët e Bayern kanë ngurruar shumë për të rinovuar kontratat dhe arsyeja kryesore ka qenë mungesa e vizionit dhe guximit të klubit për të rritur cilësinë e skuadrës.

Imagjinoni pak sulmin bavarez në sezonin e ardhshëm: Wirtz, Musiala, Olise dhe Kane. Niveli më i lartë europian, apo jo? Askush nuk do të mund të ankohet që Bayern nuk investon për të fituar Champions League.

Më shumë nga të gjithë, për këtë lajm do të gëzohet lideri i ri i rekordmenëve, Joshua Kimmich. Ai ka bërë thirrje publike që Bayern duhet të rrisë nivelin. Kjo po ndodh. Duhet edhe pak kohë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot