Fituesi i Kupës së Botës, Filip Lahm, ka paralajmëruar Anglinë që të jetë e kujdesshme nga tendenca e bashkatdhetarit të tij, Tomas Tuhel për konflikt, pavarësisht se e përshëndeti trajnerin e ri si një nga takticienët më të mirë të futbollit.Tuhel e nisi karrierën e tij në krye të “Tre Luanëve” me dy fitore 2-0 kundër Shqipërisë dhe 3-0 kundër Letonisë në dy ndeshjet e para kualifikuese të Kupës së Botës në “Uembli”.
Por ish-ylli i Gjermanisë dhe Bajernit të Mynihut tha:
“Një trajner kombëtar duhet të jetë një moderator dhe i hapur me lojtarët e tij. Ai duhet të krijojë një hierarki duke identifikuar dhe më pas duke forcuar drejtuesit brenda grupit. Sauthgejt dinte të krijonte një mjedis harmonik. Tuhel, nga ana tjetër, është më kërkues dhe shumë më perfeksionist. Por prirja e tij drejt konfliktit, edhe në publik, mund të jetë e dëmshme”.
Ish-kapiteni i bavarezëve dhe i “Pancerave” e konsideron trajnerin si ndër takticienët më të mirë të lojës dhe thotë se ai e ka aftësitë e komunikimit për t’ua përcjellë qartë lojtarëve strategjinë e tij.
Por ai shtoi: “Atij nuk i shkon gjithmonë mirë dhe kur dështon, nuk është kurrë për shkak të taktikave, por për shkak të marrëdhënieve ndërpersonale”.
Lahm shkruan më tej në “The Athletic” se mungesa e një kulture moderne e lojës, ashtu si në Spanjë, vazhdon të pengojë Anglinë: “Sauthgejt u fajësua shpesh se luante me kujdes në turnetë e fundit, por kritikët e tij anashkaluan faktin se ai nuk kishte të njëjtat kushte si kolegët e tij nga katër vendet e tjera të mëdha evropiane. A do të përfitojë më shumë Tuhel nga kjo?
A është ai njeriu duhur për Anglinë? Njohuritë e tij si trajner janë të padiskutueshme, por ai duhet të dëshmojë ende se ka aftësitë e duhura në rolin e tij të ri. Një gjerman që i sjell Anglisë një tjetër titull pas 60 vjetësh dhe bëhet i pavdekshëm? Kjo do të ishte një histori e mrekullueshme për dy kombet tona”.