BE qorton Beogradin, Von der Leyen: Serbia duhet të përmbushë reformat e BE-së

- Bota Sot

BE qorton Beogradin, Von der Leyen: Serbia duhet të përmbushë reformat e BE-së

Pas muajsh protestash rekord në Serbi, BE më në fund ka thyer heshtjen e saj – duke i ofruar Beogradit një qortim të rrallë, por të matur.

“Vendi duhet të përmbushë reformat e BE-së, veçanërisht të ndërmarrë hapa vendimtarë drejt lirisë së medias, luftës kundër korrupsionit dhe reformës zgjedhore”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të martën në mbrëmje pas një darke pune me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, raproton Politico.

Takimi, ku mori pjesë edhe presidenti i Këshillit, António Costa, trajtoi situatën aktuale politike në Serbi dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe erdhi në një moment kritik për Vuçiqin, i cili nuk ka mundur të shuajë bllokadat dhe protestat e studentëve që kanë vazhduar për më shumë se katër muaj. Demonstruesit kanë kërkuar llogari nga udhëheqja e Serbisë për korrupsionin dhe erozionin e institucioneve demokratike gjatë mandatit të presidentit.

Ndërkohë, BE-ja është perceptuar si jashtëzakonisht e kujdesshme në lidhje me mbështetjen e protestave, ndërsa darka e punës e Vuçiqit me liderët më të lartë të bllokut ndezi polemika brenda dhe jashtë Serbisë. Javën e kaluar 32 eurodeputetë kërkuan me një letër që Von der Leyen të anulojë takimin.

“Është e rëndësishme që Komisioni të angazhohet me të [Vuçiq],” tha eurodeputetja sllovene Irena Joveva. “Por, përpara se ti japë atij një platformë për ta përdorur në shtëpi për një shfaqje surrealiste, BE-ja duhet të deklarojë qartë se protestuesit serbë po kërkojnë pikërisht gjërat që BE dyshohet se dëshiron nga Serbia, por nuk ka arritur ti arrijë.

“BE ka humbur shumë besueshmëri vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe tani është koha që më në fund të zgjohet dhe të ndryshojë rrënjësisht politikën”, shtoi Joveva.

Srđan Majstorović, kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës së Politikave Evropiane, ra dakord se lëvizja studentore serbe përfaqëson "një sinjal pozitiv për vitalitetin e demokracisë në rajon dhe Evropë", por tha se serbët presin që liderët e BE-së "të thonë me zë të lartë dhe publikisht atë që ndoshta po u thonë bashkëbiseduesve të tyre nga Serbia pas dyerve të mbyllura".

Vuçiq, nga ana e tij, i tha transmetuesit shtetëror RTS, pas darkës, se ai kishte këshilluar homologët e tij të BE-së se "Serbia është absolutisht e përkushtuar në atë rrugë strategjike" dhe se "një vendim do të merret shumë shpejt për formimin e një qeverie të re ose mbajtjen e zgjedhjeve".



Lexoni të gjitha në Bota Sot