Katër ushtarë amerikanë janë zhdukur në Lituani gjatë trajnimeve dhe ushtria e policia e këtij shteti janë duke i kërkuar ata bashkë me ushtrinë amerikane, tha të mërkurën ambasada amerikane në Vilnius.
Ambasada tha se ushtarët u zhdukën në një zonë trajnimesh afër qytetit Pabrade në lindje të Lituanisë, afër kufirit me Bjellorusinë. Ambasada nuk tregoi se kur u zhdukën ushtarët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ushtarët, nga Brigada e 1-rë, Divizioni i 3-të i Këmbësorisë, ishin duke kryer trajnime taktike të planifikuara në kohën e incidentit. Përpjekje për kërkim dhe rikuperim janë duke u zhvilluar” – tha ambasada në njoftim.
Forcat e armatosura të Lituanisë thanë në një deklaratë se ishin njoftuar të martën se katër ushtarë amerikanë dhe një automjet ishin zhdukur.
“Një lokacion i mundshëm i incidentit është identifikuar dhe një operacion i kërkim shpëtimit është duke u zhvilluar” – tha Lituania.