Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se është "padyshim shumë herët" për të diskutuar heqjen e sanksioneve kundër Rusisë. Këtë e tha gjatë një konference për shtyp në Pallatin Elysee, ku priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për një takim dypalësh.
Në të njëjtën kohë, Zelensky u shpreh i vendosur se Ukraina nuk do të pranojë asnjë kompromis në lidhje me territoret e saj të pushtuara nga Rusia. Në një intervistë për Le Figaro, ai tha: "Ne kurrë nuk do tia dorëzojmë Rusisë territoret tona të pushtuara. Këto toka i përkasin ukrainasve. Kur do ti kthejmë? Ndoshta jo menjëherë. Mund të jetë e nevojshme të bëhet përmes kanaleve diplomatike."
Presidenti ukrainas gjithashtu ngriti shqetësime për përpjekjet e Moskës për të vendosur kushte shtesë në marrëveshjen e armëpushimit në Detin e Zi.
Pas takimit me Macron, ai shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara do të "garantojnë natyrën e pakushtëzuar të armëpushimit", duke nënvizuar se Kievi nuk do të pranojë asnjë diktat nga Rusia.
Ky takim mes dy liderëve erdhi në një moment kritik, mes tensioneve të vazhdueshme në Ukrainë dhe diskutimeve ndërkombëtare për ndihmat ushtarake dhe diplomatike ndaj Kievit.