Marquinhos mbron trajnerin e Brazilit: Nuk është vetëm faji i tij

- Bota Sot

Marquinhos mbron trajnerin e Brazilit: Nuk është vetëm faji i tij

Dështimi i rëndë 4-1 kundër Argjentinës në kualifikimet për Botërorin 2026 ka lënë shenjë te Brazili, me Marquinhos që nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij pas ndeshjes. Mbrojtësi i PSG-së foli me fjalë të forta, duke theksuar vështirësinë e momentit:

"Për ne lojtarët është e vështirë edhe të flasim për keqardhje. Kjo humbje është shumë e dhimbshme, veçanërisht në një klasiko.

E nisëm ndeshjen shumë keq, shumë poshtë nivelit tonë, ndërsa ata erdhën me besim dhe me shumë punë pas vetes. Argjentinasit luanin në mënyrë inteligjente, ndërsa ne nuk ditëm t’i shfrytëzonim mundësitë e krijuara.

Pjesa e përgjegjësisë nuk është vetëm e trajnerit, por e të gjithëve ne, lojtarëve. Ajo që ndodhi nuk duhet të përsëritet. Tani duhet të ruajmë qetësinë, ta ngremë kokën dhe të vazhdojmë të punojmë për të dalë nga ky moment i vështirë".

Marquinhos më pas u mundua të qetësojë polemikat, duke hedhur poshtë idenë që faji është vetëm i trajnerit Dorival Junior: "Në futboll nuk ekziston një formulë magjike, që garanton suksesin. Nuk mund t’i vihet faji vetëm trajnerit, të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë tona.

Mund dhe duhet të bëjmë më mirë për ta rregulluar situatën. Grupi ynë ka mundësi për t’u përmirësuar, ndaj duhet të jemi të përulur për të pranuar që në këtë moment se nuk jemi në nivelin më të mirë. Me qetësi dhe vetëdije, mund të gjejmë rrugën e duhur për t’u ringjallur. Duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona dhe të kuptojmë se si mund të përmirësohemi. Së bashku do të dalim prej kësaj situate".

Fjalë të udhëheqjes dhe vendosmërisë, në një moment kur Seleção duhet të rikthejë besimin dhe unitetin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot