Gazetari i BBC-së arrestohet dhe deportohet nga Turqia pas mbulimit të protestave

- Bota Sot

Gazetari i BBC-së arrestohet dhe deportohet nga Turqia pas mbulimit të protestave

Korrespondenti i BBC-së Mark Lowen u arrestua dhe u deportua nga Turqia pasi raportoi për protestat më të mëdha kundër qeverisë në vend gjatë viteve të fundit.

BBC njoftoi se Lowen u arrestua në Stamboll të mërkurën, pas disa ditësh qëndrimi në qytet për të mbuluar protestat, të cilat shpërthyen pas arrestimit të krye bashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Ai u mbajt në ndalim për 17 orë dhe më pas u deportua me arsyetimin se ishte "kërcënim për rendin publik".

Protestat kanë shpërthyer pas arrestimit të Imamoglu, i cili është akuzuar për korrupsion, akuza që ai i mohon, ndërsa mbështetësit e tij e quajnë arrestimin si një lëvizje politike për të minuar rivalin kryesor të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, shkruan The Guardian.

Deborah Turness, drejtoresha ekzekutive e BBC-së, e cilësoi këtë ngjarje si shumë shqetësuese dhe njoftoi se do të bëjnë përpjekje për të adresuar këtë çështje me autoritetet turke.

Protestat kanë vazhduar të rriten në intensitet dhe, deri tani, janë arrestuar mbi 1,850 persona, përfshirë 11 gazetarë, përcjell KosovaPress.

Gjykatat turke urdhëruan lirimin e shtatë gazetarëve të arrestuar, ndërsa autoritetet e transmetimit RTÜK njoftuan se do të imponojnë një ndalim 10-ditor transmetimi për kanalin opozitar Sözcü për shkak të akuzave për nxitje gjatë mbulimit të protestave.



Lexoni të gjitha në Bota Sot