Dodik largohet nga konferenca në Jerusalem pas kërkesës së Izraelit

- Bota Sot

Dodik largohet nga konferenca në Jerusalem pas kërkesës së Izraelit

Zyrtarët izraelitë kanë kërkuar nga Milorad Dodik të largohej nga një konferencë antisemitizmi në Jerusalem, pasi gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës kishte lëshuar urdhër për arrestimin e tij, për minim të rendit kushtetues dhe largim nga vendi në kundërshtim me urdhrat e gjykatës.

Konferenca në Jerusalem u organizua nga ministri izraelit i Diasporës dhe Antisemitizmit, Amichai Chikli dhe zyrtarët izraelitë ia bënë të qartë presidentit të Republikës Serbe se ai nuk ishte i mirëpritur, duke e shtyrë atë të largohej, raportojnë mediat izraelite.

Dodik u dënua me një vit burg dhe u ndalua nga veprimtaria politike për gjashtë vjet pasi kundërshtoi vendimet e një të dërguari ndërkombëtar për paqen. Procesi gjyqësor pasoi trazirat e vazhdueshme që filluan në korrik 2023, kur parlamenti i Republikës Serbe miratoi një ligj që injoronte autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

Dodik një avokat pro-rus për shkëputjen nga Bosnja dhe një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, nxori legjislacionin që ndalon gjyqësorin dhe policinë shtetërore të Bosnjës të veprojnë në rajonin me shumicë serbe. Ligji u pezullua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese.

Dodik ka kërcënuar vazhdimisht se do ta ndajë Republikën Serbe nga BeH dhe do ta bashkojë me Serbinë, një lëvizje që vendet perëndimore paralajmërojnë se mund të rindezë konfliktin në rajon.

Më parë këtë javë, Dodik kaloi në Serbinë fqinje dhe më pas udhëtoi për në Izrael për të marrë pjesë në konferencën e antisemitizmit në Jerusalem.

Gjykata shtetërore e Bosnjës njoftoi gjithashtu se një urdhër-arresti ndërkombëtar ishte lëshuar për Nenad Stevandiq, kryetar i Parlamentit të Republikës Serbe, i cili kishte udhëtuar në Serbi, por që atëherë është kthyer në Bosnje.

Urdhëresat i janë përcjellë Interpolit, thuhet në deklaratën e gjykatës. Dodik i ka hedhur poshtë akuzat si “të motivuara politikisht.”

Në muajt e fundit, tensionet midis Republikës Serbe dhe qeverisë qendrore të BeH-së janë përshkallëzuar deri në pikën ku janë ngritur frika për shpërthimin e konfliktit të dhunshëm.

Kriza aktuale konsiderohet më e rënda që nga lufta e viteve 1990 dhe kërcënon Marrëveshjen e Dejtonit 1995 që i dha fund luftës në Bosnje (1992-1995), e cila mori rreth 100.000 jetë. Ligji i miratuar nga Parlamenti i Republikës Serbe shihet nga Perëndimi si një shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Dejtonit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot