Superliga e volejbollit të femrave zhvilloi javën e 14-të, e cila është e fundit për sezonin e rregullt. Verdiktet thuajse ishin dhënë të gjitha, me Skënderbeun dhe Tiranën të kualifikuara në “play off”, ndërsa Partizani, Pogradeci dhe Dinamo në para “play off”.
E vetmja dilemë ishte mes Teuta dhe Vllaznisë për ekipin që shkon në para “play off” dhe atë që kalon në “play out”, në fund pavarësisht humbjes 3 me 2 ndaj Barletit, vajzat durrsake arritën të ruanin vendin e gjashtë, ndërkohë që Vllaznia përfundoi në vendin e shtatë.
Padyshim që vëmendja e javës të 14 ishte në Korçë në përballjen Skënderbeu-Tirana, sfidë që konsiderohet edhe si një finale e parakohshme e kampionatit, e cila u fitua nga Tirana me rezultatin 2 me 3.
Seti i parë përfundoi 30 me 28 për korçaret e trajnerit Koja, ndërkohë që seti i dytë u fitua nga bardheblutë 15-25. Në setin e tretë ishin sërish vajzat e Skënderbeut që triumfuan 25-20. Ndërkohë në dy setet e tjera, festa ishte e gjitha për ekipin e Tiranës, që triumfoi me rezultatin 17-25 dhe 13-15. Kjo ishte disfata e parë për Skënderbeun e Orlando Kojës në këtë edicion.
Kujtojmë që vetëm dy javë më parë vajzat bardheblu i tronditën korçaret para publikut të tyre, duke i mundur finalen e Kupës së Shqipërisë në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, për të ngritur lart trofeun.
Sezoni i rregullt do ta ulë siparin të shtunën me sfidën Pogradeci-Partizani (ora 17:00).
JAVA 14
28 MARS
VLLAZNIA – DINAMO 3-1
SKËNDERBEU – TIRANA 2-3
BARLETI – TEUTA 3-2
29 MARS
POGRADECI – PARTIZANI 17:00