Skënderbeu pa mungesa kundër Dinamos

- Bota Sot

Skënderbeu pa mungesa kundër Dinamos

Pas humbjes me Teutën, Skënderbeu është përqendruar te ndeshja e radhës në shtëpi kundër Dinamos.

Koha ka qenë e shkurtër në dispozicion, ndaj edhe për këtë trajneri Ernest Gjoka ka vendosur që të bëjë analizën e ndeshjes dhe përgatitjen për takimin e radhës sa më shpejt të jetë e mundur.

Në kushte të tilla, bardhekuqtë janë të përqendruar maksimalisht në përgatitjet e ndeshjes së radhës, pasi ndaj Dinamos ekipi duhet të bëjë maksimumin e mundshëm për të rregulluar pozitat në klasifikim.

RËNDËSIA – Ndeshja e së dielës për bardhekuqtë e Skënderbeut ka një rëndësi tejet të veçantë, pasi pas një humbjeje përballë një rivali direkt, reagimi në këtë takim do të jete më se i domosdoshëm.

Për Gjokën e rëndësishme është që ekipi, pas një paraqitjeje jo fort të mirë të reagojë, duke treguar karakter dhe mbi të gjitha personalitet në këtë ndeshje.

SULMI – Rastet e humbura me Teutën kanë shqetësuar gjithë ambientin korçar, aq sa Gjoka ka kërkuar më shumë përgjegjshmëri në finalizim. Puna më e madhe është përqendruar në sulm atje ku lojtarëve u është kërkuar që të jenë eficientë në finalizim dhe të tregojnë saktësi në mbyllje të aksionit, ajo që pikërisht e ka kushtëzuar ekipin në ndeshjen e fundit.

Në kushtet ku ndodhet Skënderbeu në renditje dhe duke pasur parasysh objektivin final të korçarëve në këtë takim të fundjavës, nuk ka asnjë rezultat tjetër veç fitores për bardhekuqtë.

FORMACIONI – Ndaj Dinamos ekipi i Gjokës do të hyjë në fushë vetëm me një objektiv të qartë, si fitorja, dhe për këtë duhet përgjegjshmëri dhe sakrificë nga ekipi. Ajo që ka shumë rëndësi është fakti se Gjoka mund të zgjedhë ekipin më të mirë në dispozicion për ta hedhur në fushë nga minuta e parë.

Pritet që nga ndeshja e fundit me Teutën korçarët të kenë vetëm një ndryshim në formacion. Pritet që Juri të rikthehet titullar në këtë ndeshje dhe Lukinjas të ulet në stol pasi e nisi si titullar ndeshjen e fundit. Pjesa tjetër e ekipit do të jetë thuajse e njëjta si ndaj Teutës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot