Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Stamboll për të protestuar kundër arrestimit të kryebashkiakut të qytetit Ekrem Imamoglu.
Bëhet e ditur se tubimi “Liri për Imamoglun” u thirr nga Partia Popullore Republikane (CHP) e Imamoglut, e cila ka inkurajuar njerëzit të dalin në rrugë në të gjithë Turqinë kundër arrestimit që ata thonë se është i motivuar politikisht, shkruan euronews.
Imamoglu, i parë gjerësisht si sfiduesi kryesor politik i qeverisjes 22-vjeçare të presidentit Recep Tayyip Erdogan, u burgos më 23 mars në pritje të gjykimit për akuzat për korrupsion.
“Nëse drejtësia hesht, njerëzit do të flasin”, thotë një nga parullat e protestuesve.
Ndryshe, CHP mbajti zgjedhjet paraprake fundjavën e kaluar, në të cilat zgjodhi Imamoglun si kandidatin e saj për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Zgjedhjet nuk janë planifikuar të zhvillohen deri në vitin 2028, por republikanët duan të shkojnë në zgjedhje herët, me argumentin se qeveria ka humbur legjitimitetin.