Bisedimet politike në Gjermani: Avancojnë negociatat, kur mund të formohet qeveria

- Bota Sot

Bisedimet politike në Gjermani: Avancojnë negociatat, kur mund të formohet qeveria

Liderët e partive të qendrës së djathtë në Gjermani, CDU dhe CSU, si dhe Social-demokratët e qendrës së majtë dhanë deklarata për shtypin, teksa bisedimet për formimin e koalicionit të ri qeverisës kanë hyrë në një fazë të re.

Kreu i CDU-së, që pritet të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Fridrih Merc tha se ka ende disa pengesa përpara, por shtoi se mbetet besimplotë se partitë do të arrijnë një marrëveshje.

Kryeministri i landit të Bavarisë, Markus Zëder dhe kryetarët e SPD-së, Lars Klingbajl dhe Zaskia Eshken u bashkuan me Merc në shprehjen e optimizmit për negociatat e koalicionit.

Raundi i ardhshëm i bisedimeve pritet të zgjidhë problemet se si do të financohen premtimet elektorale, taksat dhe shkurtimen e tyre.

CDU dëshiron t’i reduktojë taksat për korporatat duke filluar nga viti i ardhshëm, ndërsa SPD do që t’i ulë ato duke nisur nga 2029-a dhe gjithashtu kërkon që të rritet tatimi mbi të ardhurat e larta, gjë që CDU e refuzon.

Gjithashtu, dy partitë dallojnë edhe sa u takon politikave mbi kthimin e azilkërkuesve në kufi, financimin e pensioneve përmes rritjes së moshës së tërheqjes, rikthimin e shërbimit ushtarak dhe ndalimin e makinave me lëndë djegëse nga 2035-a.

E ndërsa Merc synon ta formojë qeverinë përpara Pashkës, që bie më 20 prill, java e parë e majit ka gjasa të jetë më realiste.



Lexoni të gjitha në Bota Sot