Në moshën 34-vjeçare nuk është ende shumë vonë për t’u rikthyer në futboll. Këtë e dëshmon Wojciech Szczesny me eksperiencën e tij të jashtëzakonshme te Barcelona. “Gardiani” polak u thirr me urgjencë nga klubi katalanas, pas dëmtimit afatgjatë të portierit titullar, Ter Stegen.
Një ftesë nga blaugranat është e vështirë për t’u refuzuar, ndaj “Tek” vendosi të ndryshojë mendje dhe të rikthehet në fushë, pavarësisht se në verë ishte tërhequr nga futbolli, pas largimit nga Juventusi.
Muajt e parë te Barcelona nuk kanë qenë të lehtë për Szczesny, për shkak të ambientimit dhe nevojës për të krijuar harmoni me trajnerin Hansi Flick, si dhe për shkak të konkurrencës me Iñaki Peña. Që nga mbërritja e tij më 2 tetor, ai ka rikuperuar gradualisht formën dhe ritmin e lojës, derisa më 4 janar u bë titullar. Që atëherë, përveç një pankine dhe një përjashtimi me karton të kuq, ish-portieri i Juventusit nuk e ka lëshuar më vendin mes shtyllave.
Tani ai kërkon shpërblimin më të madh; rinovimin e kontratës. Sipas Fabrizio Romano, eksperti i njohur i merkatos, marrëveshja verbale mes Szczesny dhe Barcelonës për një kontratë të re është pothuajse e mbyllur. Kanë mbetur vetëm disa detaje për t’u finalizuar dhe sapo “Tek” të japë miratimin e tij, do të vijë edhe firma në kontratën e re, e cila do të jetë e vlefshme deri në qershor 2026. Me aprovimin e bordit të Barcelonës dhe të Flick, marrëveshja është shumë pranë finalizimit, duke zgjatur kështu edhe për një vit tjetër bashkëpunimin mes palëve.