Një muaj pas njoftimit të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, për themelimin e një “koalicioni të vullnetit”, në lidhje me krijimin e një misioni ushtarak në Ukrainë, shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje.
Starmer tha se planin përfshinte “trupa britanike në terren dhe avionë në ajër, së bashku me të tjerët”.
Kjo ngriti pyetje të menjëhershme se kush do të kontribuonte dhe si. Një muaj pas, përgjigjet janë të pakta.
Kush mund të dërgojë trupa në Ukrainë?
Deri tani, Franca është vendi i vetëm që ka bërë zotim të qartë për të dërguar forca ushtarake në Ukrainë, si pjesë e misionit.
Konferenca e Londrës dhe takimet pasuese kanë përfshirë më shumë se 30 vende. Disa prej tyre me gjasë do të përfshihen në formë mbështetjeje nga jashtë.
Gjermania, për shembull, ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa nën një mandat të OKB-së, por Rusia e kundërshton një mision të tillë dhe do ta përdorte veton kundër tij. Pra, përfshirja e Berlinit ka më shumë gjasa të bëhet në formë të mbështetjes jashtë vendit, si logjistika.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u takua më 1 prill në Kiev me ministren e Jashtme në largim të Gjermanisë, Annalena Baerbock, dhe tha se një "rreth i ngushtë vendesh" është i gatshëm të dërgojë kontingjente.
Disa vende kanë treguar se mund të jenë pjesë e këtij rrethi.
I pyetur për dërgimin e trupave, kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se është "i gatshëm të ndihmoj… nën kushte të caktuara", ndërsa ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, tha se vendi i tij është i përgatitur për këtë "në parim".
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ka thënë se vendi i tij mund të dërgojë "një kontribut të vogël", por ai përballet me zgjedhje në maj. Belgjika tha se për të është e “logjikshme" të marrë pjesë.
Disa nga 30 vendet kanë përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave, si për shembull Polonia, e cila po i jep përparësi shqetësimeve të saj të sigurisë për shkak të Rusisë dhe Bjellorusisë. Edhe Greqia ka deklaruar se nuk do të dërgojë trupa.
Turqia, një fuqi e madhe ushtarake që kufizohet me Ukrainën dhe që ka kapacitete të konsiderueshme ajrore dhe detare, do të ishte kontribuese e rëndësishme. Megjithatë, ajo nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë të qartë.
Çfarë do të bënin trupat perëndimore në Ukrainë?
Misioni shpesh është quajtur paqeruajtës, por ky është një term i pasaktë.
“Nëse e quajmë ‘mision paqeruajtës’, zakonisht nënkuptojmë një mision brenda kuadrit të OKB-së, që kërkon pjesëmarrjen dhe marrëveshjen e të dyja palëve. Një ‘mision sigurie’ nuk kërkon miratimin e Rusisë”, tha një diplomat i NATO-s për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL).
Ideja është që, pasi të arrihet një marrëveshje për armëpushim ose për paqe, forcat të vendosen për ta bindur Ukrainën se Rusia nuk do ta sulmojë përsëri.
“Nëse do të kishte përsëri agresion të përgjithshëm kundër territorit ukrainas, këto ushtri do të ishin nën sulm dhe atëherë do të vepronim sipas kuadrit tonë të zakonshëm të angazhimit”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para një samiti të mbajtur nga koalicioni i vullnetit në Paris, më 27 mars.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mirëpret presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Pallatin Elysee, në Paris, më 27 mars.
“Ushtarët tanë, kur janë të angazhuar dhe të dislokuar, janë aty për të reaguar dhe për t’iu përgjigjur urdhrave të komandantit të përgjithshëm dhe, nëse ndodhen në një situatë konflikti, për t’iu përgjigjur atij”, shtoi ai.
Megjithatë, nuk parashikohet dislokimi në vijën e frontit.
Duke folur pas takimit në Paris, Macron tha se forcat do të vendosen në “disa lokacione strategjike”.
Starmer dhe Zelensky kanë thënë se forcat do ta mbulonin hapësirën ajrore, detare dhe tokësore.
Gjatë javëve të fundit, planifikuesit ushtarakë kanë përgatitur skenarë të ndryshëm.
Diplomatë të NATO-s i thanë REL-it se vizioni përfundimtar i kontingjentit të ardhshëm ende nuk është përcaktuar dhe do të varet kryesisht nga rrethanat që do të çojnë në dislokimin e tij.
Kundërshtimi nga Rusia
Rusia e ka bërë prej kohësh të qartë se kundërshton çdo dislokim të forcave në Ukrainë, të cilat përfshijnë vende të NATO-s. Pra, kjo përjashton mundësinë e një misioni të mandatuar nga OKB-ja.
Megjithatë, vendet evropiane kanë treguar se do të ishin të gatshme të dislokohen edhe pa miratimin e Rusisë. Macron e bëri këtë të qartë në një intervistë rishtazi me gazetat rajonale franceze.
“Nëse Ukraina kërkon që forcat aleate të jenë në territorin e saj, nuk i takon Rusisë ta pranojë apo ta refuzojë këtë”. tha ai.
Por, edhe nëse Rusia nuk mund ta ndalojë misionin, mund të ketë një pengesë tjetër.
Mbështetja nga SHBA-ja
Qysh nga fillimi, dislokimi i forcave është mbështetur në ekzistencën e asaj që Starmer e quajti "backstop" i SHBA-së.
Kjo i referohet ofrimit të mbështetjes ajrore, logjistikës dhe informatave të inteligjencës. Por, deri tani nuk ka pasur asnjë sinjal të qartë nga Uashingtoni se është i gatshëm të ndihmojë.
Përkundrazi, ka pasur kritika të ashpra nga një nga ndihmësit më të ngushtë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Steve Witkoff, një figurë kyçe në përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, e hodhi poshtë këtë si "një qëndrim dhe një pozë".
I dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, flet gjatë një interviste televizive jashtë Shtëpisë së Bardhë, më 19 mars.
Një diplomat nga një anëtar evropian i NATO-s i tha REL-it se kjo është një sfidë që duhet të tejkalohet.
"Duhet të provojmë një propozim të qartë dhe tia paraqesim Shteteve të Bashkuara. Nuk duhet të demonstrojmë varësi të plotë nga prania amerikane. Duhet të kemi respekt për veten", tha ai.
"Duhet të veprojmë vetë dhe pastaj t’i ftojmë Shtetet e Bashkuara të na u bashkohen", shtoi ai.
Ish-kreu i ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, i tha REL-it muajin e kaluar se Evropa duhet të veprojë vetë.
"Ushtarët që kam takuar gjatë viteve nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Polonia janë burra dhe gra të cilësisë së lartë, me pajisje të mira", tha ai.
Çfarë pason?
Që nga deklaratat e para të Starmerit, ka pasur një sërë takimesh në nivele të ndryshme për të punuar mbi propozimet.
Rruga e këtij procesi mund të jetë e gjatë.
"Kjo është një përpjekje për të gjetur një formë të re garancish nga partnerët tanë evropianë", tha për REL-in Serhiy Leshchenko, këshilltar në zyrën e presidentit Zelensky.
"Nevojitet kohë. Nuk është e nevojshme të presim zgjidhje të menjëhershme këtu", përfundoi ai./REL