Britania ka shprehur zemërim pasi autoritetet izraelite ndaluan dy ligjvënës britanikë që të hynin në Izrael, në mënyrë që më pas të vizitonin Bregun e pushtuar Perëndimor. Izraeli i ka akuzuar ligjvënësit britanikë se mbështesin bojkotimin kundër tyre.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se është “e papranueshme, kundërproduktive dhe shumë shqetësuese” që dy anëtarëve të Parlamentit britanik iu ndalua dhe refuzua hyrja në Izrael.
“Ua kam bërë shumë të qartë homologëve të mi në Qeverinë izraelite se nuk është kjo mënyra si duhet trajtuar deputetët britanikë”, tha ai.
Abtisam Mohamed dhe Yuan Yang thanë se ishin të “tronditur nga ky veprim i paprecedent i ndërmarrë nga autoritetet izraelite për të refuzuar hyrjen tonë për vizitë në Bregun e pushtuar Perëndimor”.
“Është thelbësore që deputetët të jenë në gjendje të shohin me sytë e tyre situatën në territorin e pushtuar palestinez”, thanë ata, duke shtuar se kishin planifikuar të vizitonin projektet e ndihmës humanitare dhe komunitetet lokale.
Ndihma Mjekësore për Palestinezët, një organizatë bamirëse që ndihmoi në organizimin e vizitës, tha se dy deputetët u morën në pyetje kur arritën në aeroportin ndërkombëtar, Ben Gurion të Izraelit, dhe më pas atyre iu ndalua hyrja dhe u dëbuan nga shteti.
Ndërkaq, autoritetet izraelite përmes një deklarate akuzuan dy ligjvënësit se kishin bërë thirrje për bojkotimin e Izraelit dhe thanë se ata nuk po e zhvillonin vizitën si pjesë e një delegacioni zyrtar.
Sipas ligjeve në Izrael, ndalohet hyrja e joshtetasve që mbështesin lëvizjen ndërkombëtare për bojkot, që udhëhiqet nga palestinezët, e njohur si Bojkot, Tërheqje të Investimeve dhe Sansione.
Mbështetësit thonë se kjo lëvizje ka aktivitet jo të dhunshëm dhe bazohet në fushata të ngjashme kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Izraeli e sheh këtë lëvizje si sulm ndaj legjitimitetit të tij dhe akuzon organizatorët e lëvizjes për antisemitizëm, që ata i mohojnë.
Në shkurt, Izraeli ua refuzoi hyrjen dy ligjvënësve të Bashkimit Evropian, duke i akuzuar se promovonin bojkotin e Izraelit./REL