Mbështetja me armë për Ukrainën do të sjellë më shumë shkatërrim, deklaroi presidenti bullgar, Rumen Radev.
Duke folur në takimin e Procesit Aqaba për Ballkanin III në Sofje, Rudev tha se ”shumë liderë evropianë e kanë gabim të mendojnë se furnizimi me më shumë armë i Ukrainës do të detyronte paqen përmes forcës”.
”Është e qartë se kjo nuk do të ndodhë dhe se do të çojë në më shumë shkatërrime, më shumë viktima, më shumë distancim nga paqja dhe humbje edhe më të madhe të territorit nga Ukraina”, deklaroi Radev, sipas agjencisë bullgare të lajmeve, BTA.
Radev ka paralajmëruar se konfliktet rajonale mund të përshkallëzohen me shpejtësi në globale.
”Është Ballkani ai që është veçanërisht i ndjeshëm në çështjen e sigurisë, sepse ata i vuajnë drejtpërdrejt pasojat e konflikteve ushtarake rreth rajonit. Konflikte që nxisin trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore, migrimin, radikalizimin dhe terrorizmin”, theksoi ai.
”Komuniteti ndërkombëtar duhet të braktisë iluzionin se paqja dhe siguria mund të sigurohen për disa vende ose rajone në kurriz të të tjerëve”, tha Radev.