Le Pen: Shembulli im Martin Luther King Jr

- Bota Sot

Le Pen: Shembulli im Martin Luther King Jr

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, e dënuar me pesë vjet për përvetësim të fondeve publike, deklaroi sot se do ta kundërshtonte këtë gjykim me rrugë demokratike dhe paqësore, duke kujtuar luftën për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara të pastorit Martin Luther King Jr.

“Lufta jonë (…) do të jetë (…) një luftë paqësore, një luftë demokratike. Do të marrim shembullin e Martin Luther Kingut që mbrojti të drejtat civile, sepse janë të drejtat civile të francezëve sot ato që janë në pyetje”, deklaroi deputetja me video-konferencë para kongresmenëve të Legës, partisë antiemigracion të Matteo Salvinit, të mbledhur në Firence.

Enturazhi i Marine Le Pen i është referuar ditëve të fundit liderit të të drejtave civile të vrarë më 4 prill 1968 nga një segregacionist i bardhë në ballkonin e një moteli në Memphis, ku ai kishte ardhur për të mbështetur grumbulluesit grevistë të plehrave.

Ajo këmbënguli se ”Rassemblement National” do të ndiqte rrugët ligjore të apelimit dhe demonstratave paqësore, edhe pse kundërshton legjitimitetin e këtij dënimi.

“Ne do të luftojmë, nuk do t’i dorëzohemi kurrë kësaj dhune, nuk do t’i dorëzohemi kurrë kësaj shkeljeje të demokracisë. Ne do të përdorim të gjitha mjetet ligjore të mundshme për të qenë në gjendje të konkurrojmë në këto zgjedhje presidenciale dhe të mposhtim këtë përpjekje për t’i dhënë fund funksionimit demokratik të Francës”, siguroi Marine Le Pen.

“Faleminderit Marine, ne nuk duam të marrim më nga koha juaj”, iu përgjigj Matteo Salvini. “Sot do të jetë një ditë e rëndësishme për ju, për Francën,” tha ai. Një tubim në mbështetje të Marine Le Pen po zhvillohet në Paris.



Lexoni të gjitha në Bota Sot