Protestuesit serbë me biçikleta e çojnë fushatën kundër korrupsionit në Parlamentin Evropian

- Bota Sot

Protestuesit serbë me biçikleta e çojnë fushatën kundër korrupsionit në Parlamentin Evropian

Dhjetëra çiklistë serbë janë duke i bërë 1.300 kilometra rrugë drejt Parlamentit Evropian në Strasburg, për ta tërhequr vëmendjen në lidhje me fushatën e vendit të tyre kundër korrupsionit.

Protestuesit me biçikleta u mirëpritën në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, më 5 prill, pasi ishin nisur dy ditë më herët nga Novi Sadi i Serbisë.

Shembja e një strehe prej betoni në stacionin e trenit në Novi Sad nëntorin e kaluar vrau 16 njerëz dhe nxiti protesta gjithëkombëtare në Serbi.

Protestuesit e fajësojnë Qeverinë për korrupsion dhe dështim.

Protestuesit tani po përpiqen të fitojnë mbështetje edhe jashtë Serbisë dhe nga ligjvënësit e BE-së.

"Shpresojmë për ndryshim; shpresojmë për një vend më të mirë dhe shpresojmë për më të mirën", tha Stefan, i cili ishte në mesin e studentëve protestues që mbërritën me biçikleta në Budapest.

Kryetari i Budapestit, Gergely Karacsony, shprehu mbështetjen e tij për çiklistët serbë, ashtu si edhe disa studentë serbë që studiojnë në kryeqytetin hungarez.

"Jam këtu për të mbështetur miqtë, familjen dhe të gjithë ata që po përpiqen të ndryshojnë diçka në Serbi, që ta bëjmë Serbinë një vend më të mirë për të jetuar për të gjithë ne”, tha një studente.

Studentët në Serbi kanë qenë forcë shtytëse pas protestave kundër Qeverisë në vendin e tyre dhe kanë kërkuar nga ajo t’i bëjë publike të gjitha dokumentet që lidhen me punimet e ndërtimit në stacionin të trenit të Novi Sadit.

Autoritetet pretendojnë se i kanë bërë publike të gjitha “dokumentet në dispozicion”, por protestuesit e hedhin poshtë këtë pretendim.

Studentët planifikojnë të udhëtojnë me biçikleta përmes katër vendeve – Hungarisë, Sllovakisë, Austrisë dhe Gjermanisë – përpara se të arrijnë në Francë brenda rreth dy javësh dhe në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Ndërkohë, në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq emëroi të dielën Gjuro Macutin, profesorin e mjekësisë pak të njohur, si mandatar për kryeministër në mes të krizës politike.

Vuçiq, një nga themeluesit e Partisë Progresive Serbe në pushtet që nga viti 2012, e paraqiti këtë si "lëvizje e ndryshimeve të mëdha".

Më 28 janar, kryeministri Millosh Vuçeviq dha dorëheqjen pas javësh protestash masive që kërkonin përgjegjësi për aksidentin fatal. Vuçiq tha se e kishte pranuar dorëheqjen me keqardhje, sepse, siç këmbënguli ai, Vuçeviq “nuk bëri asgjë të gabuar”./rel



Lexoni të gjitha në Bota Sot