Ish-sulmuesi i Gjermanisë, Jurgen Klinsmann, ka deklaruar se Harry Kane duhet të konsiderohet ndër pretendentët kryesorë për “Topin e Artë” këtë vit.
Sipas gjermanit, kjo falë paraqitjeve mbresëlënëse të anglezit me Bayern Munich.
Fituesi i Kupës së Botës më 1990 ka thënë se sulmuesi anglez duhet të jetë në mesin e tre pretendentëve për "Topin e Artë”, por ka theksuar se një ecuri e gjatë në Champions League do të ishte thelbësore për shanset e tridhjetë e një vjeçarit.
“Të arrish të paktën në gjysmëfinale, ndoshta edhe ta fitosh Champions, atëherë Topi i Artë bëhet i arritshëm”, është shprehur Klinsmann.
Bayern përballet të martën me Interin në ndeshjen e parë çerekfinale të CHL dhe Kane synon të fitojë trofeun e parë të madh në karrierë. Kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje për t’u luajtur në Bundesliga, Bayern ndodhet gjashtë pikë para Bayer Leverkusen, që është kampion në fuqi.