Dëshmia e rrallë e legjendës së burgjeve komuniste: Ministri Kadri Hazbiu, ish-shoku im i fëmijërisë, më thirri në burg dhe më tha...

- Bota Sot

Dëshmia e rrallë e legjendës së burgjeve komuniste: Ministri Kadri Hazbiu, ish-shoku im i fëmijërisë, më thirri në burg dhe më tha...

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, si pa kuptuar na rrëmbyen dallgët e Luftës Antifashiste. Ne ishim bashkë-shokë shkolle, si djem qyteti, unë, Bajram Tushi, Hajredin Bylyshi, Hiqmet Buzi, Mumin Selami (Kallarati). Mes ëndrrave e dëshirave e romanizmit të letërsisë. Me këta miq të mi, më lidhin shumë kujtime. Prindërit tanë, nënat tona, njerëz të ndershëm e bujarë. Një nënë patriote, mama Tina e Tol Arapit, patriotit të njohur, na mblidhte rreth vetes si klloçka zogjtë. Ishte mëma e shokut tim të rinisë, që ne e quanim: “lulja e rinisë vlonjate”, Vllas Arapit.

Këtë epitet, më duket se Vllasit ia vuri Mumin Kallarati. Unë shoqërohesha me çdo mik e shok, që ishte i ndershëm dhe i sinqertë. Kjo na bashkonte në shoqërinë tonë me bashkëmoshatarët: Hazis Sharra, Qemal Xhyheri, Xhemil Beqo etj. Edhe pse mendimet ishin të ndryshme, ne shkonim së bashku në piknikë, lodra dhe kinema. Një mbledhje në shtëpinë e Lef Sallatës. Papritur në shoqërinë tonë shpërthyen mendime të politizuara. Debati u ndez me të riun revolucionar, Kastriot Muço. Ishte njeri i ndershëm. Pas katër a pesë ditëve, Kastrioti më thotë: “Petrit, kur do ta bësh mbledhjen e rinisë në lagjen Çerekçie? Në aktivin e qytetit, je zgjedhur përgjegjës i grupit të rinisë së lagjes”. Pas disa ditëve organizuam mbledhjen e rinisë në lagjen “Çerekçie”.

Komanda e burgut u afrua disi, duke thënë se: “Shiko ku ka përfunduar”?!  Pas kësaj, Kadri Hazbiu më thirri në një nga zyrat e burgut. Aty me tha këto fjalë: “Dëgjo, Petrit, po të flas si në vitet e shkollës dhe të Luftës. Dua të ndihmoj. Të propozoj qe qysh nesër, të vish e të punosh në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo do të bëj të mundur që ti të dalësh prej këndej.

Mund të të nxjerrim edhe jashtë shtetit, për shërbime sekrete. Puna që do të bësh ti, do t’i vlejë Atdheut, Partisë dhe familjes tënde…! Un po të dal nga borxhit. Përgjigjen po deshe jepe tani, ndryshe mund të pres edhe 3-4 ditë. Ti si thua”?

Unë nënqesha dhe aty për aty, ia prita: “Rruga që ke zgjedhur ti, nuk është e denjë për mua…”! Dhe nuk e zgjata bisedën me tej, se ndjeva një neveri të madhe për këta gjerpenjë. Kadriu u zemërua. U ngrit në këmbë dhe në ecje e sipër, lëshoi ca gulçima, si një i dehur që fliste me vete.

Me kaq u ndamë. Atë natë fjeta vonë. Ndërmend me silleshin vitet e shkollës Tregtare në Ujët e Ftohtë, Lufta Antifashiste, çështja kombëtare…! Miq e shokë…! Kishin kaluar vetëm pak muaj dhe mua nuk më hiqej nga mëndja, dhelpëria e Kadri Hazbiut.

Pas disa vjetësh isha me shumë të burgosur të tjerë, në kampin e punës në Tiranë. Punoja në betonimin e një pallati, në Tiranën e Re. Kadri Hazbiu që po inspektonte të burgosurit, sa më pa qëndroi dhe nga larg pyeti për shëndetin. Ishte veshur e pluhurosur me uniformen e gjeneralit. Me gjeste trashanike, u kthye nga shoqëruesit e vet, shtriu dorën drejt meje dhe tha: “Dikur ky ka qenë shoku im i shkollës dhe fëmijërisë. Tani është katandisur këtu…”!

Dhe më pyeti: “Apo, jo Petrit”?! Unë lashë karrocën me beton dhe iu përgjigja qetësisht: “Ke të drejtë, shoku ministër. Po brenda këtij trupi të veshur me këto lecka, mund të gjenden ideale kombëtare, më të mëdha se aty…” – dhe i tregova trupin e tij. E ndjeva që nervozizmin e mbante përbrenda. Me erdhi më pranë dhe duke skërmitur dhembët e pare, në mënyrë cinike, më pyeti: “Petrit, kush do të rrojë më shumë, unë apo ti”? Me natyrën time gjysmë të heshtur, iu përgjigja:

“Vetëkuptohet që unë”! Kadriu u nxi i tëri dhe midis tërsëllimës vulosi fjalët që nuk ishte e mundur të rrojë unë më gjatë. Po unë këmbëngula: “Unë, zoti ministër, pse unë fle i qetë çdo mbrëmje, sepse mendoj mirë vetë dhe për njerëzit. Kurse ty, nuk të zë gjumi, se kë do arrestosh, kujt do t’i bësh keq…”! Nuk e zgjati më, vetëm mbaj mend se më tha përsëri, se ai do të rronte më gjatë, pse ishte ministër dhe nuk i mungonte asgjë: “Ti Petrit e ke jetën në dorë të tjetër kujt”!

Pas ca kohe, Kadri Hazbiu kishte shkuar në fshatin Mavrovë të Vlorës, tek Sami Osmani. E shoqja e tij, Nazmia, është çupa e hallës sime, Sados. Në darkë e sipër, kur ishte shtuar muhabeti, Nazmia e paskësh pyetur Kadri Hazbinë: “Po atë kushëririn tim, qe o dergjet në Burrel, pse nuk na e liron? Kini qenë dhe në shkollë bashkë…”?! Ministri i Punëve të Brendshme i paskësh dhenë këtë përgjigje: “Me atë kokë që ka Petrit Agai, atje do të kalbet, nëpër burgje…”!

Nga fundi i vitit 1960, nëpërmjet mikut tim Ilmi Xhaferri, mora një telegram nga familja: “Babai ndërroi jetë, 20 dhjetor. Fehmiu”. M’u dhimb shumë babai. E morën vesh edhe të burgosurit e tjerë. Në mëngjes u grumbulluan në oborrin e burgut e më ngushëllonin. Kështu një javë. Një mbrëmje tek po rrija në dyshekun tim, nëpër mend më erdhi babai i dashur dhe unë bëra vargjet: “Babai im si lisat e Kaninës/ u rropat nder halle e derte/ na rriti ne fëmijëve çamarrokë/ me fjalën e ëmbël si fisnikëri shpresë”!

Koha e vrau e hallet e mplaken jeta e tij – përgjakur nën diktaturë, portreti i tij përherë me shfaqet me këngën e shpresës qe i mbeti në buzë! Ditë të tëra rrija e recitoja me vetë këtë vjershë. Kishte kaluar pak kohë që kur babai për të fundit herë më erdhi në burgun e Burrelit. Erdhi papritur e pa lajmëruar, siç kishte ardhur edhe here të tjera. Kështu kishte ndodhur edhe me nënën. Unë nuk doja qe ata të rropateshin udhëve të gjata që nga “Stepat e Vlorës”.

Fjalët e tij, kur do ndaheshim ishin: “Petro, biri im, të dua gjithnjë të ndershëm. Të keqen babai, mos me turpëro. Kjo është dëshira ime dhe e nënës, Feruzesë”! Iku nga hekurat e burgut, duke kthyer edhe një herë kokën prapa. E dija se qerpikët iu lagën me lotin e nxehtë. Që atëhere ashtu më vinte përpara portreti i babait. Pas pak kohe, aty nga viti 1962, erdhi të më takonte motra ime, Fatime. Ajo më tha se kishin burgosur edhe vëllain tjetër, Fehminë. Akuza: “Agjitacion e propagandë, kundër Partisë e Pushtetit Popullor”. Dënimi – dhjetë vjet heqje lirie.

Tani, nëna ime Feruze, mbeti vetëm me nusen e Fehmiut, Hanëne dhe djalin e tyre Shpendin, katër vjeçar. Gjatë njëzet vjetëve të burgut, vuajtje të mëdha bëri edhe motra ime Fatime. Ajo mbeti pa burrë, sepse Galip Haxhiu, i shoqi, i biri i atdhetarit Osman Haxhiu, ishte arratisur jashtë vendit, qysh në vitin 1944. Ajo kishte tre fëmijë, si pëllumba: Mexhitin, Pëllumbeshën dhe Napolonin.

Fatimeja e Haneja, që qëndronin pranë prindërve, me kanë ndihmuar shumë në burgun e Burrelit. Nëpër bore e nëpër zheg të diellit, babai, nëna, Fehmiu, Fatimeja, Haneja vinin në Burrel, nëpër udhët e vështira e shpesh i zinte nata e flinin tek Ura që shkon për në Klos. Edhe kur ra në burg Fehmiu, e shoqja vinte të më shihte në burgun e Burrelit. Edhe Bejxheja, e shoqja e Hulusiut, kur isha në burgun e Tiranës, më vinte për takim me ushqime.

E shoqëronin fëmijët e saj të vegjël: Bashkimi me Verën. Nuk i shikoja dot fëmijët e vegjël të pritnin me orë të tëra tek dera e burgut. I them kunatës, Bejxhesë: “E dashur kunatë, e kuptoj që diçka të shtyn të vish tek unë. Të lutem, këtej e tutje, mos më hajde më. Nuk i shikoj dot fëmijët, përballë telave të burgut…”! Disa muaj para se të përfundoja dënimin, aty nga qershor – korriku i vitit 1964, më transferuan në kampin e punës në ndërtimin e objektit të Uzinës së Superfosfatit, në qytetin e Laçit.

Atje nisa të mësoj e të punoj në profesionin e hekurkthyesit. Brigadieri i hekurkthyesve ishte një burrë shtat mesatar, Seit Coku e quanin. Pas dy-tre ditëve, me erdhi pranë e tek po thyeja një hekur, më thotë: “A të kujtohem unë, more Petro”?! Ngrita kryet e pashë dhe njëherë dhe i thashë se; jo, nuk më kujtohej. Ai më shpjegoi se ishim takuar, para njëzet e ca vjetëve të shkuara, në tetorin e vitit 1944. Kishte qenë komandant i togës së Brigadës XXIII Sulmuese partizane.

Ishte ai që më shoqëroi me skuadrën partizane, për t’u pushkatuar në shtabin e Brigadës. “Qe fati yt, – më tha, – që erdhi profesor Mihal Prifti e, më urdhëroi të të shoqëronim për në shtabin e Korparmatës së Parë, në malin e Dajtit, tek Hysni Kapua”! U kthjellova dhe hyra në bisedë me të miqësisht.

Seit Coku ishte i vëllai i dy dëshmorëve që u vranë në Luftën Antifashiste. Më tha: “Dikush shpifi që unë kisha ndër mend të arratisesha dhe ja, tek më ke këtu…”! Po e vëreja me vëmendje. Ai e ndjeu se nuk po i besoja fjalën e tij, ndaj shtoi: “Të betohem, për gjakun e vëllezërve, se nuk kam patur ndër mend të arratisëm.” Gjatë kohës që qëndrova aty, e zura mik. Memorie.al



Lexoni të gjitha në Bota Sot