Dy serbë të arrestuar të dielën në Prizren janë liruar, pasi qëndruan 48 orë në paraburgim.
Për të njëjtit ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë.
Lajmin për lirimin e tyre e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.
“Lidhur me rastin e fundit, ju informojmë se pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit. Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë. Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve.
Lexo edhe:
Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”.
Sveçla pati shkruar në Facebook se ata synonin të shkaktonin “tensione ndëretnike/fetare në Kosovë”, derisa Prokuroria tha se nuk ekziston dyshimi i bazuar. / Sinjali