E mërkura do të shënojë një përballje të fortë mes PSG që do të presë në shtëpi britanikët e Aston Villës. Të dy skuadrat paraqiten me formacion të plotë, por edhe me disa ndeshje radhë pa pësuar humbje
Aston Villa do të udhëtojë drejt Francës për të zhvilluar ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain, të mërkurën.
Skuadra e Unai Emeryt po kalon një formë të shkëlqyer, duke u renditur e gjashta në Premier League, dhe ka kaluar me lehtësi raundet e para të Champions-it. Në fazën e 1/8-ave, ata mposhtën Club Brugge me një rezultat të përgjithshëm 6-1, duke konfirmuar ambiciet evropiane.
Pas një fitoreje të rëndësishme në fundjavë kundër Nottingham Forest, Villa kërkon ta mbajë lart moralin edhe në këtë përballje të fortë ndaj një gjiganti evropian si PSG.
Aston Villa vjen në këtë ndeshje me formacion pothuajse të plotë. Ross Barkley dhe Leon Bailey, që kishin pasur probleme fizike më parë, janë rikthyer në stërvitje dhe po vlerësohen për përfshirje në formacion. Barkley ka vuajtur nga një dëmtim në pulpë që nga janari, ndërsa natyra e dëmtimit të Bailey nuk është specifikuar.
Ndërkaq Paris Saint-Germain vjen në këtë sfidë pas një fitoreje dramatike kundër Liverpoolit në Anfield, ku kaluan më tej pas penalltive në një nga përballjet më të spikatura të fazës së 1/8-ave. Ishte një sukses i merituar, që dëshmoi karakterin e skuadrës së Luis Enrique dhe forcoi shpresat për një sukses historik në Champions League.
Në kampionat, PSG sapo ka siguruar titullin e 13-të në Ligue 1, por mbetet për t’u parë nëse do të arrijë të transferojë këtë formë të lartë edhe në arenën evropiane.