Presidenti Volodymyr Zelensky tha të martën se trupat ukrainase kishin kapur dy shtetas kinezë që luftonin përkrah forcave ruse, duke shtuar se Kievi do të kërkonte një shpjegim nga Pekini dhe një reagim nga aleatët e tij.
Moska dhe Pekini kanë thelluar bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.
“Ushtria jonë kapi dy shtetas kinezë që luftuan në ushtrinë ruse. Kjo ndodhi në territorin e Ukrainës — në rajonin e Donetsk”, tha Zelensky në një postim në mediat sociale, raporton AFP.
“Ne kemi dokumentet e këtyre të burgosurve, kartat bankare dhe të dhënat personale”, tha presidenti ukrainas në një postim që përfshinte një video të një prej të burgosurve të dyshuar kinezë.
“Kemi informacione që thonë se ka shumë më tepër shtetas kinezë në njësitë e pushtuesit sesa vetëm këta dy”, tha Zelensky, duke shtuar se “veprimet përkatëse hetimore dhe operacionale janë në vazhdim”.