Papa Françesku pati sot një takim të paparalajmëruar me mbretin britanik Charles III dhe mbretëreshën Camilla, të cilët po vizitojnë Italinë, njoftuan Vatikani dhe Pallati Buckingham.
Një zëdhënës i Pallatit Buckingham tha se Mbreti dhe Mbretëresha ishin "të kënaqur" që Papa ishte në gjendje të mirë shëndetësore për ti pritur ata, pasi takimi ishte anuluar më parë për shkak të shëndetit të Papës.
Charles III dhe Camilla do të kishin një vizitë zyrtare shtetërore në Vatikan, së bashku me një vizitë në Itali, por ajo u anulua pasi mjekët i dhanë Françeskut dy muaj pushim dhe shërim pas shtrimit në spital.
Papa e priti çiftin mbretëror privatisht dhe i uroi atyre më të mirat për përvjetorin e tyre të 20-të të martesës, të cilin ata festojnë të mërkurën, tha Vatikani në një deklaratë.
Françesku dhe Charles u takuan dy herë më parë, 2017 dhe 2019, përpara se monarku aktual britanik të bëhej mbret. Mbretëresha Elizabeth e ndjerë vizitoi Papa Françeskun në Vatikan në vitin 2014.
Papa është ende duke u rikuperuar pas një qëndrimi në spital me pneumoni në të dyja anët e mushkërive. Zëri dhe lëvizshmëria e Papa Françeskut vazhdojnë të përmirësohen falë ushtrimeve të tij të përditshme, njoftoi Zyra e Shtypit e Vatikanit.
Mbreti Charles III i është nënshtruar trajtimit për kancer që nga shkurti i vitit 2024, lloji i të cilit nuk është shpallur asnjëherë publikisht dhe u zbulua pasi iu nënshtrua një operacioni për zmadhimin e prostatës