Shpesh flitet për cikle dhe përsëritje historike

- Bota Sot

Shpesh flitet për cikle dhe përsëritje historike

Shpesh flitet për cikle dhe përsëritje historike, por ajo që ndodhi të martën mbrëma në Mynih është vërtet e pabesueshme. Interi fitoi kundër Bayern Munich në “Allianz Arena” falë një goli thuajse në fund të ndeshjes, në minutën e 87-të për të qenë të saktë, shënuar nga Davide Frattesi.

Ky i fundit, për të festuar një gol me rëndësi kapitale u zhvesh nga fanella dhe vrapoi drejt sektorit të tifozëve zikaltër.

Një shpërthim gëzimi, që i kujtoi të gjithë popullit zikaltër precedentin e ngjashëm të vitit 2011 ndaj Bayernit.

Në atë rast ishte Goran Pandev, ai që iu bëri keq bavarezëve me golin kualifikues (atëherë bëhej fjalë për 1/8 finale të Ligës së Kampionëve).

Elementi kurioz që lidh këto dy episode, përveç faktit se kanë qenë gola vendimtarë për fitoret respektive të Interit në Mynih, është minuta… Në të dy rastet goli i epërsisë së Interit ka ardhur në minutën e 87-të, në të njëjtën portë.

Për më tepër, edhe maqedonasi, ashtu si Frattesi, për të festuar e kishte hequr fanellën.

Në atë rast ishte goli i kualifikimit, ndërsa tashmë për Interin do të duhen edhe 90 minuta të tjera sakrifice për të siguruar një biletë për në gjysmëfinale.



Lexoni të gjitha në Bota Sot