Kaja Kallas: Ukraina kërkon paqe, por Rusia ende jo

- Bota Sot

Kaja Kallas: Ukraina kërkon paqe, por Rusia ende jo

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se Ukraina ka treguar vullnet të qartë për paqe, ndërsa Rusia, sipas saj, nuk ka bërë të njëjtën gjë.

Në komentet e saj, Kallas theksoi se kanë kaluar më shumë se katër javë që kur Ukraina pranoi një armëpushim të pakushtëzuar, por Moska nuk ka ofruar një përgjigje të ngjashme.

“Është e qartë se Ukraina dëshiron paqen, por Rusia, deri më tani, jo,” tha ajo, duke nënvizuar mungesën e angazhimit nga ana ruse për ndalimin e luftimeve, përcjell Euronews Albania.

Kallas gjithashtu foli për paqartësitë rreth rolit të forcës së sigurisë në terren, duke thënë se duhet të jetë më e qartë nëse detyra e saj është parandalimi i konflikteve, monitorimi i situatës apo ruajtja aktive e paqes.

“Kjo lidhet drejtpërdrejt me faktin nëse kemi apo jo paqe. Deri më tani, nuk kemi paqe,” u shpreh ajo.

E pyetur në lidhje me mungesën e përfshirjes së Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes në bisedimet aktuale, Kallas shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, por theksoi rëndësinë e rolit amerikan në stabilitetin e kontinentit.

“Është gjithashtu në interes të SHBA-së që të ketë stabilitet dhe paqe në Evropë. Ne duhet të përcaktojmë se çfarë mund të bëjmë të gjithë së bashku dhe të përpiqemi të mbajmë edhe Shtetet e Bashkuara në bord,” tha Kallas.



Lexoni të gjitha në Bota Sot