Scholes e thotë hapur: Amorim duket i zhgënjyer,

- Bota Sot

Scholes e thotë hapur: Amorim duket i zhgënjyer,

Emërimi i Rúben Amorim në stolin e Manchester United, zyrtarizuar më 11 nëntor, nuk ka sjellë ende përmbysjen e pritur. “Djajtë e Kuq” vazhdojnë të vuajnë, siç u dëshmua edhe në barazimin 2-2 në fushën e Olympique Lyon, në çerekfinalen e parë të “Europa League”, me një gafë vendimtare nga André Onana, që kushtoi fitoren.

Edhe pse trajneri portugez vazhdon të shfaqë optimizëm, duke deklaruar se “skuadra po përmirësohet ndeshje pas ndeshjeje”, këto fjalë nuk kanë mjaftuar për ta qetësuar ambientin. Madje, një ikonë e klubit si Paul Scholes ka qenë shumë i drejtpërdrejtë në mikrofonin e “TNT Sports”:

“Sipas meje, as vetë ai nuk beson te kjo skuadër. Për ta thënë hapur, nuk mendoj se i pëlqen skuadra që ka në dispozicion. Amorim e di që nuk ka një skuadër të madhe futbolli, kërkon diçka më të mirë, i duhet diçka më e mirë”.

Scholes vijoi me kritika, duke u ndalur te gjuha trupore e Amorim në stol: “Duket gjithmonë i zhgënjyer, e kupton nga mënyra si qëndron, si flet. Më jep përshtypjen e një trajneri që është i lodhur nga ajo që ka në dispozicion. Dhe ka të drejtë. Nëse Manchester United dëshiron të rikthehet në nivele të larta, i duhen lojtarë shumë më cilësorë”.

Aktualisht, Manchester United ndodhet në vendin e 13-të në Premier League, shumë larg zonës Champions, duke e bërë “Europa League” shpresën e vetme për të siguruar një vend në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Në pritje të ndeshjes së kthimit kundër Lyon, të enjten e ardhshme në “Old Trafford”, skuadra e Amorim do të përballet me Newcastle të dielën në orën 17:30. Një sfidë që mund të thotë shumë për të ardhmen e menjëhershme të projektit të drejtuar nga trajneri portugez dhe që mund të ndezë edhe një fije shprese në frontin vendas.



Lexoni të gjitha në Bota Sot