Drejtuesit e Milanit po bëjnë gjithçka në orët e fundit për të afruar në shoqëri “arkitektin” e Bolonjës së mrekullive.
Sipas medieve italiane në orët e fundit shikohet një avantazh i lehtë i Xhovani Sartorit në garën me Igli Taren për postin e drejtorit sportiv të “Djallit” kuqezi.
Sartori konsiderohet si i duhuri për Milanin për punën e bërë në vitet e fundit me Atalantën dhe Bolonjën. Klubi emiljan në dy sezonet e fundit ka kaluar çdo pritshmëri duke u kualifikuar në Champions League një vit më parë dhe duke qenë ende kompetitiv edhe në këtë sezon në Serie A.
Sipas “Gazzetta dello Sport” nëse Milani do të vendoste për Sartorin atëherë për zyrtarizimin duhej ende kohë pasi 68-vjeçari sapo ka rinovuar me klubin e tij kontratën deri në 2027-ën.
Gjithashtu Milani duhej që të priste sa të mbyllej ky sezon i Serisë A pasi Bolonja është ende në garë për një vend mes katër më të mirave dhe nuk do të dëshironte që të destabizlizonte ambientin duke lajëmruar largimin e parakohshëm të drejtuesit në fjalë.