Partizani, me detyrim tri pikët

- Bota Sot

Partizani, me detyrim tri pikët

Partizani dhe Egnatia shkojnë në përballjen midis tyre të shtunën pas humbjeve në javën e kaluar dhe rënies së ritmit në ndeshjet e fundit. Megjithatë, ndryshe nga Egnatia, të kuqtë nuk e kanë luksin e relaksimit, pasi çdo rezultat veç fitores mund t’i zbresë në vendin e pestë.

 Partizani dhe Egnatia do të ndeshen të shtunën për javën e 34-t të Abissnet Superiore pas humbjeve të pësuara një javë më parëtë kuqtë 0-3 nga Tirana dhe kampionët 1-2 nga Elbasani, në fushën e tyre.

E përbashkëta tjetër e të dyjave është se në javët e fundit kanë ulje të ritmit dhe rezultate jo të kënaqshme, megjithatë ndryshimi qëndron në atë që Egnatia e ka luksin të tolerojë, falë diferencës së krijuar herë pas here në krye, por edhe lëkundjeve të ndjekësve, që asnjëherë nuk i kanë shfrytëzuar plotësisht gjysmëhapat e kryesueseve.

Në të kundërt, Partizani ia ka hequr tashmë vetes të drejtën e relaksimit, me Elbasanin që i shfryn pas qafe në garën për vendin e katërt. Aq më tepër, që verdheblutë janë skuadra më e mirë e javëve të fundit. Në dhjetë ndeshjet e fundit, Elbasani ka 17 pikë, kundrejt 16 të Egnatias dhe 8 të Partizanit. Megjithatë, në një kthim më të shkurtër pas në kohë, vetëm me pesë ndeshjet e fundit, Elbasani mbetet skuadra më e mirë, me 11 pikë, ndërsa Partizani me shtatë lë pas pikërisht Egnatian, me gjashtë.

Të kuqtë mund të marrin zemër nga ky fakt por edhe nga fitorja 1-0 e arritur në Rrogozhinë për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Një rezultat që për Partizanin duhet përsëritur, pasi çdo rezultat tjetër mund ta zbresë në vendin e pestë, duke ditur që Elbasani, me vrullin e tri fitoreve radhazi, pret në shtëpi Bylisin, në një takim ku është padyshim favorit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot