Rogers pret reagim ndaj PSG, thotë se Villa s`është rastësisht aty ku është

- Bota Sot

Rogers pret reagim ndaj PSG, thotë se Villa s`është rastësisht aty ku është

Mesfushori i Aston Villa, Morgan Rogers, ka shprehur bindjen se skuadra e tij është e gatshme për të përmbysur gjithçka në ndeshjen kthyese kundër Paris Saint-Germain, e vlefshme për çerekfinalen e Champions League që zhvillohet të martën.

Rogers, një prej lojtarëve kyç të ekipit këtë sezon, ka thënë se atmosfera brenda grupit është e mbushur me besim dhe vendosmëri.

“Ka një besim të madh në dhomën e zhveshjes. E dimë që shumica na kanë nënvlerësuar para kësaj përballje, por në ndeshjen e parë dhamë një paraqitje dinjitoze”, është shprehur ai para gazetarëve.

Sipas mesfushorit njëzet e një vjeçar, skuadra tashmë e njeh më mirë PSG-në dhe është e vetëdijshme për sfidën që e pret.

“Sigurisht, ka gjëra që duhet t’i përmirësojmë, por tani e njohim PSG-në. Na pret një detyrë e vështirë, por në shtëpi, nën dritat e stadiumit, në një çerekfinale të Champions League, nuk ka vend më të mirë ku mund të jesh. Nëse dikush mund ta përmbysë këtë, jemi ne. Është në dorën tonë dhe mezi e presim këtë sfidë. Nuk po them se do ta arrijmë me siguri, por do të japim gjithçka për ta fituar ndeshjen”, ka thënë ai. 

Futbollisti ka theksuar se suksesi i deritanishëm i Aston Villa nuk është rastësi, por rezultat i përpjekjes së vazhdueshme dhe punës së palodhur të ekipit. “Kemi arritur në këtë pikë më shpejt se ç’e prisnin të tjerët. Por ne e dimë që jemi mjaftueshëm të mirë për të qenë këtu. Kemi besim të madh te grupi, te trajneri dhe te stafi teknik. Nuk jemi rastësisht në këtë pozitë. Kemi përballuar çdo sfidë që na është dalë përpara dhe kemi fituar ndeshjet që duheshin. Ndoshta dikush mund të mendojë se nuk e meritojmë, por ne e shohim ndryshe, kemi punuar shumë për të qenë këtu dhe duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara”, ka thënë ai. 

Një pjesë të veçantë të deklaratës së tij, Rogers ia ka kushtuar trajnerit Unai Emery, i cili sipas tij ka qenë forca bashkuese dhe frymëzuese e skuadrës. “Trajneri është ai që na bashkon. E dimë që nëse nuk je në formacionin titullar, nuk ka kohë për t’u mërzitur. Kemi një mision dhe një objektiv, ndaj duhet të jemi të gjithë të përqendruar. Dhe për të qenë i sinqertë, djemtë kanë qenë fantastikë”, ka thënë ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot