Është prezantuar studimi i fizibilitetit dhe projekt-idesë për hekurudhën Durrës-Prishtinë, në një ceremoni të mbajtur në Shkodër të hënën.
Ministrja e Infrastrukturës në Shqipëri, Belinda Balluku e ka quajtur kapitull të ri ndërtimin e hekurudhës “Kuq e Zi”.
“Një hap konkret drejt jetësimit të një projekti kombëtar, që na afron edhe më shumë duke hapur një kapitull të ri mes dy vendeve dhe më gjerë, përmes nxitjes së shkëmbimeve, lëvizjes dhe zhvillimit të ekonomisë. Me vendosmëri, objektiv të qartë dhe padurim për të ecur sa më shpejt e pa humbur kohë për këtë vepër kombëtare”, ka shkruar ajo.
Balluku ka bërë të ditur se kjo hekurudhë do të jetë 105.8 kilometra e gjatë, do t’i ketë 43 ura, 14 tunele dhe shtatë stacione të reja.
Përgjatë rrugës, ajo do të kalojë nga Shkodra në Gjakovë.