Pas javësh përgatitjeje intensive dhe një historie të pasur pjesëmarrjeje në “Dana Cup” të Danimarkës, Qendra e Trajnimit “ES” nga Kamenjani i Tetovës sot është nisur drejt Turqisë, ku do të marrë pjesë për herë të parë në turneun prestigjioz ndërkombëtar “Junior World Cup-Antalya 2025”.
Ky turne përfaqëson një nga garat më të mëdha në botë për moshat e reja dhe do të mbledhë ekipe të fuqishme si Manchester City, Bayern Munich, Borussia Dortmund, Besiktas, Porto dhe Everton. “ES” do të përfaqësohet me dy gjenerata, atë 2011 dhe 2014. Aktualisht është i vetmi klub nga Ballkani pjesëmarrës në këtë ngjarje.
Ky udhëtim përfaqëson jo vetëm një sfidë sportive, por edhe një përvojë të rrallë për të rinjtë tanë, të cilët do të kenë mundësi të matin veten me akademitë më të njohura evropiane. Me përkushtimin e trajnerëve Elmaz dhe Burim Sinani dhe mbështetjen e sponsorëve të përkushtuar, “ES” vazhdon të ndërtojë një emër të fortë në arenën ndërkombëtare të futbollit të moshave.
Nga Qendra e Trajnimit “ES” falënderojnë të gjithë ata që qëndrojnë pas këtij projekti dhe që besojnë në fuqinë që ka sporti për të ndryshuar jetën e të rinjëve. “ES” po tregon se ëndrrat realizohen me punë, pasion dhe mbështetje.