Arsenali si sprovë vendimtare

- Bota Sot

Arsenali si sprovë vendimtare

Situata e Ancelottit te Real Madridi po hyn në një fazë shumë delikate. Pas humbjes 3-0 ndaj Arsenalit në Londër, pozita e trajnerit italian është seriozisht në diskutim, sidomos nëse sezoni përfundon pa asnjë trofe madhor. Aktualisht në garë për Champions League, La Liga dhe “Copa del Rey”, presioni mbi “Don Carlo” është i madh. Drejtuesit madrilenë po mendojnë për të ardhmen.

Ja kandidatët për ta pasuar Ancelottin

Xabi Alonso – Aktualisht trajner i Bayer Leverkusenit, i përfshirë në një sezon historik. Ka kontratë deri më 2026. Ai vlerësohet shumë nga Real Madridi për lidhjen me klubin e bardhë dhe idetë moderne të futbollit. Disavantazhi? Nuk do të jetë e lehtë të shkëputet nga Leverkuseni tani.

Jürgen Klopp – I larguar nga Liverpool-i në fund të sezonit aktual. Sipas “Olé”, janë regjistruar kontaktet e para mes Klopp-it dhe presidentit Florentino Pérez. Përparësia? Gjermani është i lirë nga detyrimet kontraktuale (edhe pse është drejtues i “Red Bull” për pjesën e futbollit) dhe ka një reputacion ndërkombëtar të padiskutueshëm. Thuhet se në bisedime është diskutuar projekti sportiv dhe përforcimet e mundshme për skuadrën madrilene.

Nëse Real Madridi nuk arrin ta përmbysë rezultatin (3-0) ndaj Arsenalit dhe nuk fiton La Liga-n ndaj Barcelonës, Florentino Perez pritet të marrë një vendim të madh. Klopp për momentin duket gjithnjë e më shumë si një plan B serioz, që mund të bëhet plan A shumë shpejt…

Ancelotti: Mund ta përmbysim Arsenalin. E ardhmja ime? Nuk besoj se varet nga ndeshja e sotme

“Tifozët janë shumë të rëndësishëm, mbështetja e tyre na ka ndihmuar shumë, – tha Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Arsenalit, ku duhet përmbysur disfata 3-0 e “Emirates”. – Na duhet një ndeshje perfekte për ta ndryshuar fatin e kësaj sfide. Duhet të luajmë me kokë, me zemër… Nga ana mendore jemi shumë mirë, duhet ta kontrollojmë mirë lojën”.

Në “Bernabéu” ndodhin gjëra që nuk ndodhin askund tjetër: “Real Madridi i ka burimet për ta përmbysur këtë situatë. Kemi cilësi, përkushtim, përvojë, tifozët… Të gjitha janë aty, tani është momenti për të nxjerrë më të mirën. Për vite me radhë thuhej se Reali nuk luante një futboll spektakolar, ndoshta është e vërtetë, sepse ne duam futbollin efikas”.

Çfarë do t’u thotë lojtarëve para kësaj ndeshjeje delikate: “Do t’ua shpjegoj qartë strategjinë. Kemi menduar shumë për gjithçka, dua që lojtarët e mi të hyjnë në fushë me ide të qarta. Nëse kuptojnë strategjinë, do të luajnë më mirë”.

A varet e ardhmja e tij nga kjo ndeshje: “Nuk doja të isha i drejtpërdrejtë, por po tregohem i tillë (qesh). Nuk besoj…”

Çfarë u ka thënë këto ditë lojtarëve: “Asgjë të veçantë, kemi folur për aspektin emocional dhe mënyrën si duhet ta përballojmë këtë fazë. Ashtu siç duhet të bëjë një profesionist. Motivimi është aty, tani dua që lojtarët të jenë të qetë para ndeshjes. Jam i sigurt që do të japim maksimumin”.

A ka ndonjë as nën mëngë: “Jo, asgjë të veçantë. Do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje intensive”.

Çfarë i nevojitet ekipit: “Stadiumi ‘Bernabéu’ ka magji, të gjithë e dinë që është një atmosferë e veçantë këtu. Sonte do të na duhet gjithçka: cilësia, paraqitja e plotë, fizikisht dhe në aspektin ekipor. Asgjë nuk mund të shkojë keq”.

Si ndihet vetë Ancelotti: “I përqendruar, gjakftohtë. Nuk është ndeshja ime e parë…”

Pas kartonit të kuq, si është Mbappé: “Është i lënduar dhe i zhgënjyer. Megjithatë, është stërvitur shumë mirë. Kemi nevojë për të, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për të mbrojtur, duhet të shënojmë… Më shumë se kurrë kemi nevojë për golat e tij sonte”.

Arsenali është ekip shumë i ri: “Por është shumë i organizuar. Nuk është ekip me përvojë, por ka ide shumë të qarta, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Arsenali është shumë i përqendruar në atë që duhet të bëjë. Më shumë përqendrohet te loja sesa në atmosferën jashtë fushe”.

Shënimi sa më shpejt: “Nuk besoj se kjo është vendimtare. Po, është e rëndësishme të shënosh herët, por gjëja më e rëndësishme është të kesh kontroll të mirë të ndeshjes dhe të japësh maksimumin që nga fillimi. Kur e kontrollon mirë ndeshjen, mund të shënosh në çdo moment”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot