Thirrje për përgjegjësi politike – Formoni qeverinë! Populli nuk është më i verbër!

- Bota Sot

Thirrje për përgjegjësi politike – Formoni qeverinë! Populli nuk është më i verbër!

Federata dhe Platforma Kombëtare dhe Ndërkombëtare e Shqiptarëve për Identitetin, Unitetin dhe Bashkimin Kombëtar (FPNIUBK), në emër të mbarë shqiptarëve që e duan këtë vend, që kanë sakrifikuar dhe kanë shpresuar në një Kosovë të drejtë dhe funksionale, ju drejtohet me një thirrje të fuqishme dhe të ndershme:

Mjaft më me lojëra politike! Mjaft më me inate, me përçarje dhe me pazare personale!

Sot, përballë sfidave të mëdha ndërkombëtare dhe kërcënimeve të hapura ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës – ju, përfaqësuesit e popullit, jeni duke dështuar në mënyrë të turpshme në detyrën tuaj më të shenjtë: formimin e institucioneve.

Në vend që të bashkoheni për Kosovën, ju ndaheni për poste.
Në vend që të reflektoni për të ardhmen, jeni të ngujuar në të kaluarën.
Në vend që të bashkëpunoni për një qeveri që i shërben popullit, i shërbeni interesave të ngushta.

Turp!

Kujt i shërbejnë këto veprime? Popullit jo. Shtetit jo. Kombit – asesi!
Ndërkohë që Veriu i vendit po minohet, që ndërmjetësit ndërkombëtarë kërkojnë lëshime nga Kosova, ju – deputetë e liderë – jeni të zhytur në heshtje, në mungesë vizioni dhe mbi të gjitha – në mungesë përgjegjësie.

Kosova nuk ka nevojë për fjalë të bukura në fushata – por për veprim tani!
Kombi është në rrezik – jo vetëm nga presioni i jashtëm, por edhe nga ju, që gabimisht e keni marrë votën e popullit dhe aksidentalisht jeni ulur në karrigen e deputetit.

Aty ku duhet të jeni zëri i qytetarit, jeni bërë zëri i interesave personale.
Aty ku duhet të mbrohet shteti, po mbrohen privilegjet tuaja.

Nëse e ndjeni veten shqiptarë, nëse mendoni se i përkisni këtij vendi, atëherë formoni qeverinë dhe ndërtoni institucione për të gjithë – jo vetëm për veten tuaj!

Ftesa jonë është për reflektim të thellë:

🛑 Uluni me veten! Shikoni në pasqyrë dhe pyesni veten:
A jeni aty për popullin, apo për veten? A jeni për Kosovën, apo kundër saj?
Sepse koha e mashtrimeve ka përfunduar – populli nuk është më i verbër!

Me përzemërsi dhe miqësi,
në emër të Federatës dhe Platformës Kombëtare dhe Ndërkombëtare e Shqiptarëve për Identitetin, Unitetin dhe Bashkimin Kombëtar (FPNIUBK)
🗓️ 17 Prill 2025



Lexoni të gjitha në Bota Sot