I dërguari i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe diplomati i lartë amerikan Marco Rubio po zhvillojnë sot bisedime në Paris me homologët evropianë për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Takimet, në të cilat do të marrë pjesë edhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, përfaqësojnë angazhimin më të lartë transatlantik për këtë çështje që nga muaji shkurt.
Në muajt e fundit, administrata amerikane nuk është treguar veçanërisht e zellshme në konsultimet me aleatët evropianë, ndaj takimet e së enjtes konsiderohen të rëndësishme, qoftë edhe vetëm për faktin se po mbahen, raporton BBC.
Witkoff dhe Rubio pritet të takohen me presidentin francez Emmanuel Macron dhe ekipin e tij.
Më pas, sekretari amerikan i shtetit do të zhvillojë bisedime me Lammy-n dhe homologët francezë e gjermanë. Në takim do të përfshihen edhe këshilltarët për siguri kombëtare të vendeve evropiane.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se fokusi do të jetë tek mënyrat për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë. Witkoff do të raportojë edhe për takimin e tij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin.
Diplomatë evropianë thanë se do të kërkojnë nga SHBA që të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë për një armëpushim të pakushtëzuar.
“Duam që SHBA të përdorë pak më shumë ‘shkopin’,” u shpreh një zyrtar evropian.