Kompany: Patëm shumë raste për gol, na penalizuan dëmtimet e shumta

- Bota Sot

Kompany: Patëm shumë raste për gol, na penalizuan dëmtimet e shumta

E humbi çerekfinalen e parë të Champions League në shtëpi, me rezultatin 2-1. Nuk arriti ta përmbyste këtë disavantazh në kthim, mbrëmë në “San Siro”, sepse nuk shkoi më larg se barazimi 2-2 (disfata 4-3 në total).

Trajneri belg i Bayern Munich e analizoi kështu eliminimin nga kompeticioni, finalja e të cilit do të luhet pikërisht në Mynih këtë edicion.

Në vlerësimin e përgjithshëm të të dyja ndeshjeve, a ishte Interi më efektiv?

Mendoj se çështja më e madhe, përpara sfidave me Interin, ishin dëmtimet tona. Duhej të kuptonim çfarë mund të bënim pa lojtarë si Ito, Upamecano, Musiala, Neuer, Davies, Coman, Pavlovic.

Në ndeshjen e parë treguam një Bayern të mirë, nuk flas për rezultatin. Edhe në kthim, në Milano, treguam qëndrim pozitiv, kishim ndjesi shumë të mira. Mbështetja nga tifozët ishte e jashtëzakonshme. Gjithçka nisi ashtu siç dëshironim, pastaj erdhën dy momente ku Interi tregoi cilësinë e vet dhe ne mund të kishim bërë më mirë.

Krijuam shumë raste për gol, më shumë se Interi. Kam ndjenja të përziera, realiteti i hidhur është që nuk do ta luajmë finalen e Champions-it në shtëpinë tonë. Kjo nuk mund të ndryshohet. Ana tjetër është performanca, e dimë që kemi bërë mjaftueshëm për t’i fituar këto ndeshje. Do të vijnë shumë ndeshje të tjera të Champions-it në Mynih, pas dy muajsh do luajmë ndeshjen e parë të Botërorit për Klube, ndërkohë do të përpiqemi të fitojmë Bundesligën. Ka shumë për të punuar dhe fituar, ende.

A ka ndikuar kalendari te dëmtimet?

Fatkeqësisht kalendarin nuk e vendos unë. Përveç shumë ndeshjeve, janë edhe udhëtimet e gjata, pastaj presioni shtohet kur ke mungesa. Kjo është situata jonë, sonte ishim të sakatuar, çka peshon shumë në një fazë kaq të rëndësishme të kompeticionit. Është një temë që meriton diskutim dhe analizë, unë për momentin nuk kam çfarë të shtoj më shumë.

Çfarë ju mungoi sonte për të shënuar më shumë gola në “San Siro”?

Më e vështira këtë herë ishte të zgjidhje cilat raste të përfshije në video-analizë nga ndeshja në Mynih, sepse ishin shumë të shpërdoruarat. Luajtëm ndaj një skuadre shumë të mirë, të mirëtrajnuar. Kjo është arsyeja pse do ta rigjykonim sërish njësoj qasjen taktike. Keqardhja e madhe mbetet rezultati.

A mendoni se Interi mund ta mposhtë Barcelonën në gjysmëfinale?

Janë dy skuadra shumë të mira, kemi luajtur edhe kundër Barcelonës. Sidoqoftë, nuk është detyra ime të jap një përgjigje për këtë.

Në Itali jemi mësuar me një Kim ndryshe. Pse te Bayerni nuk po paraqitet njësoj?

Të gjithë mund të kenë mendimin e tyre. Mund të them vetëm që ai është i përqendruar për të fituar titullin në kampionat, siç bëri me Napolin. Nuk ka asnjë shans që të flas keq për ndonjë lojtar individualisht.



Lexoni të gjitha në Bota Sot