Në sesionin e pasdites në gjykimin për sulmin terrorist në “Banjskë” vazhdoi me fjalën hyrëse mbrojtësja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq. Sikurse mbrojtësit e dy të akuzuarve tjerë, edhe Filipoviq tha se aktakuza e Prokurorisë Speciale është e mangët dhe nuk specifikohen veprimet e të mbrojturit të saj. Ata kërkuan të respektohet prezumimi i pafajësisë.
Ajo tha se fjalën hyrëse e dorëzon me shkrim, ndërsa gjatë elaborimit të saj, tha se i mbrojturi i saj nuk ka kurrfarë lidhje me veprën penale për ngjarjen që ka ndodhur në Banjskë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Avokatja theksoi se që kur ka ndodhur ngjarja, lënda ka tërhequr vëmendjen mediale jo vetëm në nivel vendor, por edhe në atë ndërkombëtar.
“Si pasojë e rrethanave të tilla, shumëkush i jep të drejtë vetes që të akuzuarit t’i shpallë terroristë para aktgjykimit. Nëse dikush ka sjellë aktgjykim para kësaj procedure, duhe të jemi të njoftuar”, tha Filopoviq.
Po ashtu, mbrojtësja e Maksimoviq tha se duhet të ekzistojë prezumimi i pafajësisë dhe kjo gjë duhet të sigurohet në gjykatore, andaj kërkoi që “mos të shpallen fajtorë” të akuzuarit para përfundimit të procedurës penale.
E njëjta iu bashkëngjit kritikave të dy avokatëve tjerë të të akuzuarve lidhur me aktakuzën. Tha se as për të mbrojturin e saj, aktakuza nuk ka fakte dhe prova që mund të provohen.
“Madje është komplet e kundërta kur merren parasysh provat e marra në fazën hetuese që ne si mbrojtje nga dita e parë e punës në këtë çështje nga PSRK kemi këruar që të mblidhen provat e caktuara që nuk janë mbledhur dhe nuk janë siguruar sepse shkojnë në favor të të akuzuarit Maksimoviq”, tha avokatja Filipoviq.
Avokatja Jovana Filipoviq, theksoi se i mbrojturi i saj ishte arrestuar më 25 shtator 2023 në fshatin e tij ku jeton edhe babai i tij. Tha se ishte arrestuar kur ishte nisur për në Zveçan tek nëna dhe motra e tij dhe se sipas saj, kontrolla e parë e Policisë e kishte liruar, por u ndalua nga e dyta.
Sipas saj, në telefonin e tij ishte gjetur një incizim ku ndër të tjera shihet një pjesë e çantës ushtarake dhe se këtë video e kishte dërguar tek e dashura e tij. Ajo thotë se në shkresa të lëndës ka prova që e dashura e ka pyetur disa herë se ku është dhe kur kthehet në shtëpi.
“Nuk e di çfarë vepre penale është t’i shpjegohet të dashurës se ku është”, tha Filipoviq.
Më 24-25 shtator, tha se ka dëshmitarë që janë dëgjuar krisma dhe shihet korridori i ndërtesës dhe se i mbrojturi i saj në deklaratën e dhënë në Prokurori Speciale ka treguar lëvizjet e tij në detaje dhe se për këtë ka dëshmitarë të cilët do t’i thërrasin të dëgjohen në Gjykatë.
“Kemi kërkuar të dëgjohen prova nga droni që kanë qenë, kemi kërkuar të sigurohen provat nga stacioni bazë, dudke konsideruar se do të vërtetohet se Dushani ka qenë me shokët e tij duke bërë grill, e që këto pova s’janë siguruar nga PSRK-ja. Shpresoj që ju si trup gjykues do të përmirësoni këtë padrejtësi”, tha avokatja.
Gjithashtu, shtoi se veprimet e Dushan Maksimoviq në Banjskë shihen në video-incizim. Tha se ekspertiza tregon se shenjat e tij nuk gjenden në asnjë rast, as në mbetjet e barutit.
Pjesëmarrja e të akuzuarit Maksimoviq në vepra penale, sipas avokates nuk vërtetohet në fotografitë që u prezentuan nga prokurori.
Avokatja tha se do të propozojnë ekspertizë, përmes së cilës do të vërtetohet se a ka ngjashmëri mes uniformave që pretendohet se janë ushtarake.
“Gjykatës i kam dorëzuar screenshot të Instagramit që ato fotografi janë publikuar më 6 janar në mal me dushk në krah. Dushani ka pasur kapelen në disa fotografi dhe xhaketën ushtarake dhe kjo nuk është vepër penale. Sot gjatë pauzës duke dalë nga Gjykata e kemi parë një gazetar që është dukur se ka çantë sikur ushtarake, a është kjo vepër penale?”, tha ajo.
Avokatja tha se shpreson të vërtetohet ajo që tha prokurori Naim Abazi, që askush nuk është mbi ligjin. Ajo tha se pret që Gjykata në fund të marrë vendim në përputhje me ligjin dhe jo nga presioni i publikut.
“Pra, shihet qartë se Dushani ka alibi në lidhje me lëvizjet e tij për datën 24, 25, 26 shtator dhe atë me provat që do t’i propozojmë nnë shqyrtim gjyqësor dhe në ADN të Dushanit nuk gjendet asgjë lidhur me këtë çështje, në duart e tij s’ka kurrfarë gjurme të barutit dhe çka është më e rëndësishmja në të gjitha ato shkresa që ka të bëjë me ndarje ne armëve dhe roleve, emri i Dushanit nuk përmendet askund, emrin e Dushanit nuk mund ta gjeni askund”, tha Filipoviq.
Po ashtu, avokatja tha se Prokuroria ka thënë se roli i Maksimoviq ka qenë i vogël, por që atë rol të vogël nuk e ka përshkruar, pasi sipas saj, nuk ekziston.
Fjalën e avokates Filipoviq e mbështeti i mbrojturi i saj Dushan Maksimoviq, i cili tha se nuk ka çfarë të shtojë.
Më pas, gjykatësi i rastit- Arben Hoti tha se fjalët hyrëse të prokurorit dhe përfaqësuesve të palëve të dëmtuara janë përmbledhje e provave që mbështesisn rastin apo shkresat e tyre. Tha se të njëjtën gjë e bëri mbrojtja.
“Gjykata si arbitër neutral në mesin e palëve, nuk ka bërë as nuk bën shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë. Këtë e kemi bërë çdo herë dhe do ta bëjmë edhe tash. Ju sigurojmë që ky parim do të vlejë dhe do të bazohet në vendim në ligjet e Kosovës, Kushtetutës dhe asnjë presion nga publiku nuk mund të ndikojë në Gjykatë të pavarur”, tha Hoti.
Shpend Lushtaku, avokat me zëvendësim për përfaqësuesin e palës së dëmtuar Naim Rudari, tha se mungojnë Alban Rushiti dhe disa të dëmtuar tjerë, andaj kërkoi që seanca të ndërprehet për të vazhduar një datë tjerë.
Prokurori Abazi tha se janë të gatshëm të fillojnë me marrjen në pyetje të të dëmtuarve.
Por, i dëmtuari Qerim Shaqiri kërkoi që seanca të shtyhet pasi për arsye shëndetësore nuk ishte i gatshëm të merret në pyetje.
Më pas, seanca u ndërpre, ndërsa të radhës u caktuan bllok për arsye të ekonomizimit të procedurës. Seancat e radhës pritet të mbahen më 9, 11, 12 dhe 13 qershor.
(Përditësuar, ora 12:14)- I akuzuari Vladimit Toliq tha se është fakt i ditur që më 24 shtotor 2023 ka qenë në Banjskë, por se nuk ka gjuajtur në askënd. Ai shprehu keqardhje për humbjen e jetës së zyrtarit policor Afrim Bunjaku.
“Gjatë mjekimit kam kuptuar se ka humbur jetën zyrtari policor, që më vjen shumë keq për këtë. Do të shtoj diçka, se unë Vladimir Toliq më 24 shtator në askënd nuk kam gjuajtur dhe nuk kam pasur qasje në mjete eksplozive”, tha ai gjatë fjalës hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I akuzuari falënderoi ekupin mjekësor që ia kanë shpëtuar jetën.
“Pajtohem me avokatin. Unë kam qenë në Banjskë më 24 shtator dhe është e qartë, por motivi i pranisë time dhe pjesëmarrja në atë ngjarje dallon nga ajo si është e cekur në aktakuzë. Në asnjë moment s’kam mundur të supozoj se çka po ndodh dhe pasojat që kanë qenë në fund. Të gjithë ne e dimë se kam qenë i plagosur rëndë, jam mjekuar në Prishtinë”, tha Toliq.
Para tij, edhe mbrojtësi i Toliq, avokati Millosh Deleviq, tha se fjalën hyrëse e ka përgatitur me shkrim dhe të njëjtën ia dorëzoi Gjykatës. Ai tha se kishte presion në ngritje të kësaj aktakuze.
“Është rasti më kompleks dhe më i rëndë që i ka ndodhur Republikës së Kosovës, është bërë presion i rëndë dhe i lartë ndaj Prokurorisë Speciale, është paraqitur presioni përmes medieve, publikut dhe posaçërisht përmes pushtetit ekzekutiv. Tre muaj pas ngjarjeve në Banjskë, kryeministri i Kosovës ka bërë pyetje se përse s’kemi aktakuzë lidhur me këtë rast, çdo muaj përmes medieve është kërkuar nga Prokuroria që të përfundohen hetimet dhe të akuzohen për atë që Prokuroria Speciale ka pasur edhe gjashtë muaj afat. Prokuroria e bëri për më pak se një vit”, tha Deleviq.
Sipas tij, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se çfarë role kanë pasur se çka individualisht kanë vepruar. Tha se nuk ka konkretizime për asnjë pjesëtar lidhur me veprimtarinë e tyre, përveç që thuhet se udhëheqës ka qenë Milan Radoiçiq.
“Nuk dihet kush i ka marrë pengjet, nuk kemi përgjigje për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe për armëmbajtje pa leje. Nuk kemi përgjigje, këto që do duhej të ishin në aktakuzë’, tha ai.
Deleviq tha se pas administrimit të provave do të vërtetohet se i mbrojturi i tij Toliq nuk ka pasur rol domethënëse. Falënderoi Plicinë e Kosovës që i kishin ofruar ndihmë Toliqit kur ishte plagosur.
Avokati tha se do të vërtetohet se i akuzuari Toliq nuk ka pasur komunikime me udhëheqësit e grupit dhe se provat nuk kanë të bëjnë me të dhe nuk janë relevante për vërtetimin e fajësisë për këto vepra penale.
“Prokuroria nuk ka asnjë provë që e vë në lidhje të drejtpërdrejtë me humbjen tragjike të zyrtarit policor Afrim Bunjaku. Do të shohim se Vladimit Tolit nuk ka ditur për plan të mirëorganizuar sikurse pretendon Prokuroria dhe qëllim për shkëputje të pjesës veriore të Kosovës”, tha Deleviq.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë që sa më shpejtë të ndryshojë aktakuzën dhe të konkretizojë veprimet e të mbrojturit të tij. Nëse kjo bëhet, tha se do të shqyrtojnë sërish deklarimin rreth fajësisë.
“Pajtohem që duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë dhe lus kolegët avokatë që të përmbahen nga kërkesa për burgim të përjetshëm, të paktën derisa të përfundohet procedura e provave”, tha Deleviq.