Ballshiotët luajnë mbijetesën, të kuqve ua kanë marrë dorën

- Bota Sot

Ballshiotët luajnë mbijetesën, të kuqve ua kanë marrë dorën

Bylisi kërkon mbijetesën dhe të shtunën do të luajë një ndeshje delikate kundër Partizanit në shtëpi në stadiumin “Adush Muçaj”. Pavarësisht forcës së kundërshtarit, ballshiotët kërkojnë fitoren, pasi është i vetmi rezultat që bën punë.

Një motiv më shumë për lojtarët ballshiotë është fakti se ndeshjet e shkuara të këtij sezoni kundër Partizanit janë në favor të tyre. Në tri përballje që janë zhvilluar deri më tani, një sfidë është mbyllur me fitoren e Partizanit dhe dy të tjera më triumfin e Bylisit.

Kjo e fundit dhe Vllaznia janë skuadrat e vetme që kanë arritur ta mposhtin Partizanin dy herë deri më tani.

Gjithashtu, ndeshja e vetme që Partizani e ka humbur me përmbysje është ajo ndaj ballshiotëve, që në një moment po humbnin 2-0, por më pas kthyen gjithçka për të vulosur një triumf 2-3.

Mbetet të shihet sesi do të shkojë kjo përballje e radhës, që i gjen skuadrat në “fije të perit” sa u përket objektivave sezonale. Bylisi lufton për mbijetesën, ndërsa Partizani fillimisht për katërshen e parë e, më pas, pse jo për titullin kampion në “Final 4”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot