Pritet rritja edhe e çmimit të mishit

- Gazeta e Prizrenit

Pritet rritja edhe e çmimit të mishit

Pronar biznesesh në Kosovë kanë alarmuar se çmimet e produkteve mund të shënojnë ngritje deri në 30% më shumë si shkak i shtrenjtimit të energjisë elektrike. Sipas tyre, shtrenjtimi për 16.1% ndikon drejtë për së drejti në prodhime të tyre ndërsa edhe 16% të tjera si pasojë e ndikimit indirekt të produkteve. Në anën tjetër, Këshilli i të drejtave të njeriut ka bërë thirrje që të ketë rritje të pagave krahas shtrenjtimit të produkteve.

Vendimi për shtrenjtimin e rrymës edhe për 16.1% të tjera ka ngjallur reagime të shumta se ngritje cmimesh do të ketë edhe në produkte ushqimore. I pari produkt që do të shtrenjtohet u tha se është buka, çmimi i së cilës rrezikon të shkojë deri në 80 centë. Por, përveç bukës si pasojë e shtrenjtimit të rrymës, rritje do të shënojë edhe produktet e tjera. Pronari i një fabrike mishi në Kosovë, Labinot Talla tha se çmimi i mishit rrezikon të rritet deri në 30% më shumë.

“Po 16% është ndikimi direkt. Pastaj ndikimet indirekte janë edhe për 16% të tjera sepse lënda e parë shtrenjtohet për 16% këto janë zinxhir landën e par e blejë ma shtrejt, pastaj e paguan edhe faturën e rrymës dhe në fund këto shkojnë në çmim final të produktit”, tha Talla.

Talla, ngre shqetësimin se për pasojë të shtrenjtimit të energjisë elektrike, produkti i tij nuk do të mund të shitet as në tregjet jashtë Kosovës për shkak të çmimit të lartë që do të detyrohet t’ia vendosë. Ndërkohë shqetësimin e njëjtë e ka edhe një biznes tjetër në Kosovë i cili merret me prodhimin e metalit. Përfaqësuesja e kësaj kompanie, Arbnora Musliu, thotë se kompania e tyre 95% të prodhimit të tyre e ka për tregun Evropian, dhe sipas saj nëse shtetet e rajonit kryesisht Shqipëria dhe Serbia nuk kanë shtrenjtim të energjisë elektrike, prodhimin e tyre rrezikon të mos e blejë askush.

“ Mua çmimi më rritet aq sa është rritë energjia elektrike, unë prodhojë metal 95% të tregut e kam në Evropë dhe krejt punët më duhet t’i kryej me energji elektrike. Nëse Serbia nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike, Shqipëria nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike produkti jem humb në tregjet Evropiane sepse bëhet shumë i shtrenjt”, tha Musliu.

Kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Prishtinë u mbajtën 2 protesta të një pas njëshme. Por, pavarësisht kësaj, ZRrE-ja, vendosi që ta shtrenjtojë atë. Në këtë situatë të krijuar, iniciativa qytetare “grupi asnjë cent ma shumë” të shtunën ka organizuar edhe një protestë tjetër. Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Drejtave të njeriut, Behxhet Shala, ka kërkuar që paralelisht me ngritje të çmimeve të ngritën edhe pagat.

“Të bëhet indeksimi i pagave. Nuk mundet të shtrenjtohet buka 80 cent çmimi i rrymës për aq sa po shtrenjtohet e pagat të mbesin. Qytetarët duhet të protestojnë”, tha Shala.

Pas një majit, qytetarët në Kosovë që shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovat, për një kilovat të shpenzuar do të paguajnë 9.05 centë nga 7.79 centë sa paguajnë aktualisht. Ndërsa ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, një kilovat do ta paguajnë 15.43 centë nga 14.45 centë sa është çmimi aktual./rtv21/



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit