Real Madridi po përgatit ndryshime të mëdha në verë.
Eliminimi nga Champions League po bind drejtuesit e klubit të nisin më shpejt një proces që kishte nisur të përmendej muaj më parë: largimi i trajnerit Carlo Ancelotti.
Tekniku italian do të dëshironte të vazhdonte në stolin e “Los Blancos”, por – përveç nëse fiton La Ligan dhe Kupën e Mbretit– largimi i tij duket i pashmangshëm.
Largimi i Ancelottit mund të ndodhë që në fund të prillit, pas finales së Kupës së Mbretit kundër Barcelonës.
Arsyeja? Xabi Alonso – i konsideruar si pasardhësi ideal – ka një klauzolë në kontratë që mund të aktivizohet në rast se e kërkon Real Madrid ose Liverpool, dy nga ish-skuadrat e tij si lojtar. Në këtë rast, Bayer Leverkusen duhet të pranojë largimin e tij edhe gjatë sezonit.
Sot, gazeta spanjolle Marca shtyn këtë afat përtej prillit, drejt Kupës së Botës për Klube, një event që presidenti Florentino Perez e konsideron strategjik për imazhin e klubit. Mbetet për t’u parë nëse Xabi Alonso do të pranojë të marrë në një turne kaq të rëndësishëm, me një grup të lodhur dhe që kërkon rinovim, apo do të presë fundin e sezonit, në korrik.
Në merkato, gazetat spanjolle konfirmojnë interesin për Trent Alexander-Arnold, që Real Madrid do të provojë ta transferojë pikërisht për Kupën e Botës për Klube, duke përfituar nga dritarja shtesë e merkatos për ekipet pjesëmarrëse.
Për mbrojtjen pëlqehen Dean Huijsen dhe Zubimendi, ndërsa në mesfushë Modric pritet të largohet, Lucas Vázquez është në dyshim, dhe për David Alaba, një nga më të paguarit në skuadër, do të merren në konsideratë oferta të mundshme.