Ndahet nga jeta gazetari kosovar, Sylejman Shaqiri

- Gazeta e Prizrenit

Ndahet nga jeta gazetari kosovar, Sylejman Shaqiri

Ndërroi jetë sot gazetari i njohur kosovar, Sylejman Shaqiri. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur familja e tij përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se më i dashuri ynë – Sylejman Shaqiri u nda nga jeta sot, duke lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrat tona”, ka njoftuar Vjosa Shaqiri.

Në lidhje me vdekjen e tij ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke shprehur ngushëllime për vdekjen e tij.

“Sylejman Shaqiri dha kontribut të pashoq në gazetari dhe media. Karrierën e nisi në fillim të viteve ’80, në Radio Ferizaj, ku shërbeu si kryeredaktor dhe drejtor, për të vazhduar më pas në Radio Televizionin e Prishtinës si gazetar dhe redaktor përgjegjës. Pas mbylljes së dhunshme të RTP-së, kontributi i tij vazhdoi në Radio Kroacia dhe Radio Tirana. Pas luftës mbajti pozitat më të larta, duke përfshirë atë të drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ku ishte edhe redaktor lajmesh e udhëheqës i disa emisioneve.

Shaqiri do të kujtohet për profesionalizmin e tij, përkushtimin ndaj profesionit dhe rolin e tij udhëheqës në zhvillimin e mediave në Kosovë”, thuhet në njoftim./GS



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit