Kongresmeni amerikan Brian Fitzpatrick kohët e fundit vizitoi frontin ukrainas dhe i shkroi një mesazh presidentit rus Vladimir Putin në një predhë artilerie.
Fitzpatrick, një republikan nga Pensilvania i njohur për mbështetjen e tij për Ukrainën, vizitoi forcat ukrainase dje pas takimit me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyn, përcjell Telegrafi.
Gjatë vizitës, siç tha ai, grupi i tij u ekspozua ndaj granatimeve ruse pranë kufirit, dronët rusë i ndiqnin lëvizjet e tyre dhe në një moment iu desh të largoheshin urgjentisht nga zona.
“Ata po luftojnë për demokracinë e tyre, po luftojnë për lirinë, të gjithë ne në SHBA duhet t’i mbështesim me gjithë zemër”, tha Fitzpatrick në një video të postuar në profilin e tij në Facebook.
“Unë kam qëndruar gjithmonë pranë tyre dhe do të qëndroj gjithmonë. Ftoj të gjithë kolegët e mi në Kongres të vijnë dhe të shohin vetë”, shtoi ai.
Në një video tjetër, Fitzpatrick u filmua duke shkruar një mesazh “shumë personal” për Putinin në një predhë.
Ai shkroi: “Për: Putin, nga PA-1. #PeaceThroughPower.”
Raportohet se PA-1 i referohet zonës së tij zgjedhore në Pensilvani, të cilën ai e ka përfaqësuar që nga viti 2017.
Më vonë ai shtoi se “mesazhi ka arritur në vendin e duhur”