Java e fundit në Kategorinë e Parë

- Bota Sot

Java e fundit në Kategorinë e Parë

Erzeni-Kastrioti është një tjetër ndeshje e javës së 33-të në Kategorinë e Parë, që luhet thjesht sa për të respektuar kalendarin.Cilido qoftë rezultati i këtij takimi, asgjë nuk ndryshon në renditjen e dy ekipeve. Erzeni ka rënë prej javësh në Kategorinë e Dytë, kështu që luan 90-minutëshin e fundit në të Parën, me shpresën për t’u rikthyer sa më shpejt.

Kastrioti ka ardhur gjithnjë në rënie dhe nga pretendent për Superioren, tani i duhet të sigurojë mbijetesën përmes raundit “play out”. Kundërshtari i krutanëve në këtë finale mbijetese pritet të jetë një mes Luzi 2008 dhe Sopoti. Shijakasit prej javësh ndeshjet pritëse i kanë zhvilluar në fushë asnjanëse.

Kështu do të ndodhë edhe të dielën, ku Erzeni-Kastrioti do të zhvillohet në kompleksin stërvitor të Egnatias, në fshatin Lekaj. Për ironi të fatit, kjo është një përballje mes dy skuadrave që nuk kanë shtëpi për momentin, plagë të cilën Kastrioti po e vuan prej disa sezonesh.

Duke qenë një ndeshje prestigji, pritet që të dy trajnerët të mendojnë edhe për aktivizimin e lojtarëve të stolit, madje krutanët duhet të ruajnë energji për “play out”-in.



Lexoni të gjitha në Bota Sot